Këngëtari i njohur, Snoop Dogg, ka bërë të ditur se albumi i tij i ri “Missionary”, i prodhuar tërësisht nga producenti i njohur, Dr. Dre, do të publikohet më 13 dhjetor.
“Missionary”, i cili po vlerësohet si lloj vazhdimësie e albumit të parë të tij, “Doggystyle” i cili u publikua në vitin 1993, shënon të parin bashkëpunim të plotë në mes të dy artistëve që nga ai album, shkruan Variety.
Reperi, lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjete sociale.
Snoop, në vitin 2022 pati përmendur se po dëshiron ta bëjë një album në muajin nëntor.
Ai pati thënë se këtë po dëshiron ta bëjë si lloj “festimi” për nder të 30-vjetorit të publikimit të “Doggystyle”, të cilin po ashtu e ka prodhuar në tërësi Dr. Dre.
Ai album u bë i pari i zhanrit hip-hop që u shit më së shpejti në atë kohë dhe që atëherë është vlerësuar si ndër incizimet më të mira të zhanrit rep të të gjitha kohërave.
Ani pse pak dihet për “Missionaryn”, të dy, Snoop e Dre, përgjatë viteve të fundit patën folur se po përgatisin diçka ndërkohë që nuk kanë dhënë detaje.
Në muajin gusht, Dre pati thënë se është gati në përfundim të punës në këtë album.
Shumë njohës të fushës kanë pretenduar se pjesë e këtij projekti do të mund të jenë edhe shumë të famshëm të tjerë.
Reperi 50 Cent, në muajin mars pati thënë se do të jetë pjesë e albumit dhe reperi Method Man muajin e kaluar në një emision ka konfirmuar të njëjtën gjë.
Ndër vite, Dre dhe Snoop kanë bërë bashkëpunime të shumta. Së pari në albumin e parë solo që Dre e pati lansuar në vitin 1992 “The Chronic”, më vonë ishte pjesë e këngëve si “Still D.R.E” dhe “Forgot About Dre”, në spektaklin “Super Bowl” në vitin 2022 bashkë me të famshëm të tjerë si Kenrick Lamar, Eminem, 50 Cent e Mary J.Blige dhe së fundmi performuan gjatë spektaklit përmbyllës të Lojërave Olimpike në Paris.
