Showbiz

Elton John: Fëmijët e mi nuk duhet të rriten me frikë

Elton John

Elton John

Foto: Associated Press

Elton John ka treguar se ka vendosur të mos lejojë që fëmijët e tij të rriten me frikë, ndryshe nga fëmijëria e tij, e cila ishte e mbushur me ndjenjën e pasigurisë dhe frikës nga prindërit e tij të rreptë.

Këngëtari 78-vjeçar, i cili ka rritur dy djem nga një nënë surrogate, ka thënë në një intervistë për “Heart FM” se fëmijëria e tij në vitet ‘50 ishte e dominuar nga një disiplinë e ashpër dhe një atmosferë e tensionuar, ka raportuar “FemaleFirst”. John dhe partneri i tij, David Furnish, kanë rritur dy djem, Zacharyn dhe Elijahn.

“U rrita me frikë nga nëna dhe babai im. Kur vendosëm të kemi fëmijë, i thashë Davidit: ‘Nuk dua kurrë që fëmijët tanë të kenë frikë nga ne’. Gjithmonë ndihesha sikur po ecja mbi lëvozhga vezësh, duke u trembur se mos bëja diçka gabim. Dhe i thashë Davidit: ‘Kjo nuk do të ndodhë me fëmijët tanë’”, ka thënë John.

Megjithëse ai dhe bashkëshorti i tij zbatuan rregulla dhe disiplinë, John ka theksuar se fëmijët e tij nuk janë ndier kurrë të frikësuar. 

“Asnjëherë nuk ka pasur dhunë apo ndëshkime të ashpra. Dhe ka funksionuar mrekullisht. Ata janë fëmijë të mrekullueshëm”, ka thënë ylli i famshëm britanik.

John ka pohuar se dëshiron të mbahet mend si baba i shkëlqyer, më shumë sesa për arritjet e tij në muzikë.

“Në varrin tim nuk dua të shkruhet asgjë... Dua vetëm të thuhet: ‘Ai ishte një baba i mrekullueshëm’”, ka thënë ai në një intervistë në Palladiumin e Londrës.

Në këtë intervistë, koleksionisti i syzeve ka folur edhe për pasionin e tij. Këngëtari ka pranuar se zotëron të paktën 10,000 palë. 

“I mbaj në depo sepse nuk kam shtëpi aq të madhe, por do të thosha se kam diku mes dhjetë dhe pesëmbëdhjetë mijë pale syze”, ka thënë ai me humor.

Duke folur për sfidat aktuale me të drejtat e komunitetit LGBTQ+, këngëtari i hitit “Tiny Dancer” u shpreh se ndonëse situata është e vështirë, ai mbetet optimist.

“Është një kohë e vështirë, por këto gjëra do të kalojnë”, ka thënë John, duke riafirmuar përkushtimin e tij për barazinë dhe të drejtat e komunitetit.