Moses Barrow, i njohur me nofkën “Shyne”, nga të qenit rap-artist, tani është bërë politikan në vendlindjen e tij Belize, ku si përfaqësues i zgjedhur ai njihet si “ i ndershëm”.
Ai i ka thënë CNN-it, se kjo s’është vetëm nofkë.
“Gjithçka që kam bërë e që kam kaluar më ka ndihmuar të vij këtu ku jam sot. Këtu ku jam sot, është aty që kam dashur të isha. E kam bërë këtë zgjedhje kur isha 18 vjeç. Thosha se nuk do të isha i pandershëm dhe se nuk do t’i fusja në telashe shokët vetëm që ta mbaja veten larg telasheve”, ka thënë Barrow.
46 vjeçi, i ka bërë këtë komente duke ju referuar rastit që e ka lidhur përgjithmonë me reperin P. Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs.
Në vitin 1999, Barrow pati nënshkruar një kontratë me labelin “Bad Boy Records” të cilin e drejtonte Combs dhe ishte pjesë e incidentit që ndodhi në një klub nate në New York, ndërkohë që Combs ishte me të dashurën e tij të atëhershme, këngëtaren Jennifer Lopez, kur nata përfundoi në të shtëna me armë. Ishin lënduar tre njerëz.
Barrow, Combs dhe turpëroja i tij, Anthony Jones, u gjykuan më 2001 për të shtënat. Combs dhe Jones ishin liruar, ndërkohë që Barrow u dënua për sulm dhe posedim të armës. Ai u dënua me 10 vjet burgim dhe u dëbua drejt vendlindjes, Belize dhe u lirua në vitin 2009.
Për atë që i ka ndodhur, Barrow pjesërisht e fajëson Combsin.
“Ka shumë gjëra që i kam thënë për Diddyn për kohë të gjatë. Askush nuk më dëgjonte, askush nuk besonte. Kjo ka bërë që plagët që i kam, me ndihmën e Zotit, të kenë mundësi të shërohen dhe arritjet e mija i bëri shumë më shumë domethënëse”, ka thënë Barrow.
Jeta e Barrowit do të shpërfaqet përmes një dokumentari “The Honorable Shyne” që do të transmetohet në televizionin “Hulu”.
Ky projekt ishte duke u përgatitur shumë më përpara se Combs të akuzohej për krime seksuale me një mori padish kundër tij. Barrow nuk mendon se problemet aktuale ligjore që ka Combs, do të mund t’i hidhnin hije mesazhit që po dëshiron ta përçojë përmes dokumentarit.
“Kur përçmohet mesazhi, rasti i tij veç e vë edhe më në pah. Me të vërtetë do ta vë në fokus me të qartë se çfarë kam thënë ndër vite”, ka thënë Barrow.
Në dokumentar flitet për rrugëtimin që ka bërë Barrow në jetë, që nga fëmijëria në Belize e deri tek djali adoleshent që donte të bëhej reper në New York, për të jetuar me nënën në kërkim të një jetë më të mirë.
Ai i përsosi aftësitë që kishte dhe arriti të marrë vëmendjen e Combsit, i cili i dha kontratë pune në vitin 1998.
“Isha në orbitën e tij vetëm për gati një vit. Firmosa kontratën në vitin ‘89-të, shumicën e asaj kohe nuk kisha ndonjë kontakt të afërt me të. Të jesh milioner i ri nuk është transicion i lehtë, prandaj vetëm po harxhoja para me shpejtësi të madhe”, ka shpjeguar Barrow duke shtuar se ishte fillimi i vitit 1999 kur filloi të kishte kontakt më të afërt me Combsin.
“Ai filloi të më mësonte shumë gjëra derisa ndodhi ngjarja e shtënave me armë në klubin në New York dhe aty u ndal bashkëpunimi”, ka treguar tutje ai.
Ish-reperi i cili pas 20 vjetësh u rilidh me historinë e Combsit, i ka thënë CNN-it se nuk kishte ndonjë kontakt me Combsin, në mënyrë që te kuptonte se çfarë po ndodhë me paditë e tij tash.
“Sidoqoftë, ajo që më ka bërë ai është se ka thirrur njerëz për të dëshmuar kundër meje, ani pse unë i kam kërkuar të mos e bënte. Çdo kush që do ta dërgonte dikë në burg me qëllim, është përbindësh”, ka thënë ai.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Combsit i kanë thënë CNN-it se këto deklarata janë të pavërteta.
“Z. Combs kategorikisht i mohon këto pretendime, përfshirë sugjerimin se ai ka orkestruar burgimin e z. Barrow, apo ta ‘sakrifikojë’ atë duke i drejtuar dëshmitarët të flasin kundër tij. Këto pretendime pa dyshim janë të rreme”, kanë deklaruar përfaqësuesit e “ikonës globale”.
Në këtë deklaratë gjithashtu thuhet se Combs ishte liruar nga të gjitha akuzat me rastin e shtënave me armë që ka ndodhur në vitin 1999 në klubin e natës në New York, ndërkohë që mogulit të repit “i vjen mirë që Barrow ka arritur suksesin që ka dashur në jetë dhe i dëshiron çdo të mirë në këtë drejtim”.
“Z.Combs beson në gazetari të përgjegjshme, e cila do t’i vërë në peshore të dyja anët e medaljes në mënyrë që të sigurojë informacion të saktë duke treguar se ai ka mbështetje të vazhdueshme për të gjithë ata me të cilët ka bashkëpunuar”, thuhet tutje në deklaratën e përfaqësuesve.
Tani, Barrow i cili shërben si lider i opozitës në Belize, e sheh këtë si pjesë të progresit në jetën e tij. Mesazhi i tij sot ka të bëjë me paqen, përfshirë dëshirën që bota ta zbulojë bukurinë e Belizes.
“Jam shëruar, kam falur, e kam tejkaluar”, ka thënë Barrow për Combsin, ndërkohë që për atë që do të dali në sipërfaqe për ish-mentorin e tij ai ka thënë se është diçka që “juria dhe gjykata do të vendosin”.