Raportohet se disa të famshëm, për të cilët pretendohet të jenë pjesë e krimeve të dyshuara të reperit të famshëm amerikan P. Diddy, i kanë paguar viktimat në mënyrë që të mos ua përmendin publikisht emrat e tyre nëpër padi.

Avokati amerikan Tony Buzbee, i cili po i përfaqëson 120 individë, të cilët pretendojnë se janë viktima të reperit, i ka thënë TMZ-së se u ka dërguar letra shumë të famshmëve, për t’u kërkuar sqarime se çfarë ka ndodhur nëpër “festat e çmendura”, edhe nëse kanë informacionin më të vogël. Ai gjithashtu u ka thënë atyre që nëse nuk duan të përmenden publikisht nëpër padi, t’i zgjidhin problemet përmes ndërmjetësimit, shkruan “Page Six”.

“Nëse keni shkuar nëpër këto festa më parë dhe keni vazhduar të shkoni ndërkohë që e dinit çfarë ndodh aty, kjo do të thotë se ju e dinit për drogën e veçantë që vihej nëpër pije, e cila i bënte njerëzit lehtë të manipulueshëm. E nëse keni qenë aty në dhomë, keni marrë pjesë dhe e keni parë të ndodhë ndërkohë që nuk keni thënë asgjë duke ndihmuar ta mbulojnë krimin, nga këndvështrimi im, ju keni problem”, ka thënë avokati në konferencë për shtyp.
Avokati nga Teksasi ka pretenduar se shumë njerëz e dinin për “ndejat e çmendura” të reperit, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, ndërkohë që nuk kanë thënë asgjë. Ai beson se këta njerëz duhet të mbahen përgjegjës dhe kështu planifikon të bëjë.

“Të gjithë këta individë janë të ekspozuar këtu. Kujt do t’i dali emri, kur do të ju dalë emri, të gjitha do të bëhen të ditura në kohën e duhur”, ka thënë tutje Buzbee.
Ai gjithashtu ka cekur se e vetmja mënyra që këta të famshëm do të mund të mbajnë anonimitetin është duke i zgjidhur problemet me ndërmjetësim.
“Në çdo rast, sidomos atyre si ky, ne mbledhim të dhënat, mbledhim provat, kalojmë kohë me viktimat dhe pastaj, për shkak se është në interesin më të mirë të viktimave, ne mundohemi t’i zgjidhim çështjet në instanca private pa ngritur padi publike dhe këtë e kemi bërë tashmë. E kemi bërë tashmë këtë me shumë individë të famshëm”, ka shpjeguar avokati.
Sidoqoftë, individët të cilët janë kontaktuar për t’u treguar kushtet e marrëveshjeve, nëse nuk pajtohen me to, emrat do t’u publikohen.

Zhvillimi i fundit në këtë çështje vjen gati një muaj pas arrestimit të Combs në New York, i cili akuzohet për shantazh, trafikim seksual, mashtrim dhe prostitucion.
Ylli është deklaruar i pafajshëm, ndërkohë që lirimi më kusht i është mohuar dy herë ani pse ka ofruar 50 milionë dollarë dorëzani.

Rënia e Combs, ka filluar në muajin nëntor të vitit 2023 pasi ish e dashura e tij për 10 vite, Cassandra Ventura, e njohur si Cassie, e paditi për dhunim, trafikim seksual dhe abuzim fizik përgjatë 10 vjetëve sa ishin në lidhje. Ai i pati mohuar akuzat dhe menjëherë të nesërmen patën arritur një marrëveshje kushtet e së cilës nuk janë bërë publike. Ndërkohë ishte publikuar një video e kamerave të sigurisë nga CNN-i. Në video shihet Combs duke e rrahur në mënyrë brutale Venturan 28 vjeçe, në vitin 2016, gjë që e shtyri reperin të kërkonte falje publikisht.