Seriali “Shogun” me sezonin e parë shënoi fitore historike duke i rrëmbyer 18-të çmime “Emmy” në ceremoninë, e cila zuri vend të dielën mbrëma. “Hacks” ishte befasia e mbrëmjes duke u shpallur “Komedia më e mirë”, me ç’rast e mundi konkurrentin kryesor, “The Bear”, i cili parashikohej të triumfojë në këtë kategori.
Hiroyuki Sanada e fitoi çmimin “Aktori më i mirë në dramë” për rolin protagonist në serialin “Shogun”, kurse Anna Sawai u shpall “Aktorja më e mirë në dramë”, duke u bërë kështu dy aktorët e parë japonez që shpërblehen në ceremoninë prestigjioze “Emmy”.
Elizabeth Debicki u shpall “Aktorja më e mirë në dramë”, duke u vlerësuar dhe njëherë për portretizimin e jashtëzakonshëm të Princeshës Diana në sezonin e gjashtë dhe të fundit të serialit hit, “The Crown”.
Komedia shumë e dashur nga publiku, “The Bear”, ishte fituesi tjetër i madh i mbrëmjes duke i rrëmbyer gjithsej katër trofe, përfshirë këtu kategoritë “Aktori më i mirë” për yllin Jeremy Allen White, “Regjia më e mirë” si dhe “Aktori dhe aktorja më e mirë në rol dytësor”, të cilat shkuan për dyshen, Ebon Moss-Bachrach dhe Liza Colón-Zayas. Edhe projekti televiziv britanik, “Baby Reindeer”, i rrëmbeu katër çmime në kategori më pak të rëndësishme, përfshirë këtu “Seriali më i mirë i limituar”.
Aktorja Jean Smart për të tretin vit radhazi e rrëmbeu trofeun “Aktorja më e mirë në komedi”, për performancën e shkëlqyer në serialin që shënon sezonin e tretë të transmetimit, “Hacks”. Gjatë karrierës së saj disa dekadëshe, Smart i ka fituar gjithsej gjashtë shpërblime “Emmy”.
Mbrëmja u ndoq nga disa prej emrave më të mëdhenj të botës së filmit e televizionit. Në mesin e tyre ishte edhe këngëtarja me prejardhje kosovare, Rita Ora, e cila shkëlqeu mbi qilim të kuq e veshur me një fustan ngjyrë rozë dhe e shoqëruar nga bashkëshorti regjisor, Taika Waititi.
