Warner Bros e ka shtyrë “Sherlock Holmes 3” për një vit dhe ka caktuar datën e re të shfaqjes së filmit për 21 dhjetor 2021. Fillimisht, studioja njoftoi majin e kaluar se Sherlock Holmes 3 do të shfaqet në ditën e Krishtlindjeve 2020.
Robert Downey Jr. do ta përsërisë rolin e detektivit britanik, ndërsa Jude Law gjithashtu kthehet si asistenti i tij, dr. Watson.
Chris Brancato e ka shkruar skenarin, ndërsa Susan Downey, dhe Joel Silver dhe Lionel Wigram janë producentë. Regjisori nuk është përcaktuar ende, shkruan KOHA Ditore.
“Sherlock Holmes 3” vjen një dekadë pas filmit të dytë “Sherlock Holmes: A Game of Shadows”, në të cilin luajtën Jared Harris dhe Noomi Rapace, dhe i cili i kishte fituar 545.4 milionë dollarë në kinematë globale. Pjesa e parë e Sherlock Holmes në këtë serial, në të cilin luajti Rachel McAdams, u shfaq në vitin 2009 dhe në nivel global i fitoi 524 milionë dollarë.
Guy Ritchie e ka bërë regjinë e dy filmave të parë.