Showbiz

Shakira thotë se i dha fund gjyqit për taksat për t’i mbrojtur djemtë e saj

Shakira

Shakira

Foto: Associated Press

Shakira ka thënë së fundmi se u detyrua të zgjidhte sa më shpejt çështjen e saj tatimore në Spanjë, në një përpjekje për të "mbrojtur" fëmijët e saj.

Ylli 47-vjeçar i popit pranoi të paguante një gjobë prej 7.5 milionë dollarësh në rastin e saj të mashtrimit fiskal vitin e kaluar, por ajo pretendon se nuk ishte fajtore.

Krijuesja e hitit "Hips Don't Lie", e cila ka djemtë Milanin, 11 vjeç dhe Sasha, nëntë vjeç, me ish-yllin e futbollit Gerard Pique, ka thënë për gazetën spanjolle El Mundo se shumë vendime i merr për hirë të fëmijëve të saj.

"Dua t'u lë fëmijëve të mi trashëgiminë e një gruaje që i shpjegon arsyet e saj me qetësi dhe në kohën e saj, kur e konsideron të nevojshme, jo kur është e detyruar. Unë kam nevojë që ata të dinë se unë kam marrë vendimet që kam marrë për t'i mbrojtur ata, për të qenë pranë tyre dhe për të vazhduar jetën time. Jo nga frika apo faji”, është shprehur ajo.

Shakira ka akuzuar autoritetet spanjolle se “ e kanë djegur atë” në mënyrë që të dukeshin vetë mirë.

Ylli i popit kishte vendosur të jetonte në Spanjë si emigrante në vitin 2015 dhe ishte akuzuar për mashtrim tatimor në vitin 2018.

“Një person që kalon kohën e tij duke bërë turne nëpër botë nuk mund të ketë qëllimin të jetë banor tatimor në një vend vetëm sepse personi me të cilin janë në një lidhje në atë kohë jeton atje”,  ka shtuar Shakira, e cila është ndarë nga Gerard në vitin 2022.

Shakira ka këmbëngulur se ajo "gjithmonë i ka përmbushur" detyrimet e saj tatimore, por mendon se tani është koha e duhur për të folur.

"Mund të ketë nga ata që pyesin se përse po i bëj këto deklarata tani. Arsyeja e parë janë fëmijët e mi.

Ne kemi jetuar në një epokë të karakterizuar nga një ton arrogance nga shteti. Gjërat nuk zgjidhen duke djegur një personazh publik sikur të ishte një gjyq i inkuizicionit për të rikuperuar prestigjin e humbur”, ka përfunduar deklaratën e saj ylli latino-amerikan.