Artistja e njohur Selena Gomez ka thënë se do të përqendrohet në karrierën e saj si aktore dhe jo më në muzikë.
Në moshën 32-vjeçare, ajo ka luajtur një ndër rolet kryesore në filmin mjuzikëll të regjisorit Jacques Audiard dhe ka treguar se do të fokusohet në projekte filmike dhe televizive në muajt që vijnë.
“Mendoj se filmi dhe krijimi i artit - dhe të qenit rreth njerëzve kaq të jashtëzakonshëm dhe të talentuar që më kanë ngritur gjatë gjithë rrugës - është diçka që do ta bëj me pasion. Do të jetë shumë e vështirë për mua të kthehem në muzikë pas kësaj”, ka thënë Gomes në Festivalin Ndërkombëtare të Filmit në Santa Barbara, ka raportuar FemaleFirst.
Selena ka thënë se shpreson që roli i saj në projektin filmik “Emilia Perez” të jetë një pikënisje për karrierën e saj në aktrim.
“Regjisori kishte besim të madh tek unë dhe isha shumë mirënjohëse, sepse kam pasur mundësinë të tregoj se jam në gjendje të bëj më shumë. Shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi për mua”, ka thënë ajo.
Përveç suksesit të saj të madh si aktore dhe këngëtare, Selena kohët e fundit ka pranuar se ndoshta është “pak e vjetër për të qenë një yll i muzikës pop”.
“Do të thosha se forca ime më e madhe është aktrimi. Por një gjë që më bën krenare në muzikë është mundësia për të treguar një histori - këngët e mia të preferuara janë kryesisht balada dhe janë shumë transparente dhe të sinqerta. Por mendoj se mund të jem pak e vjetër për jetën e një pop-ylli”, pati thënë ajo për Variety.
Selena është shumë e lumtur që ndodhet në këtë fazë të re të jetës së saj dhe e konsideron si fillim të ri.
“Jam sinqerisht shumë e lumtur që jam në këtë periudhë të re të jetës time, sepse në shumë aspekte, është vetëm fillimi”, ka thënë ndër të tjera Gomez.
Aktualisht, ajo planifikon të përqendrohet në karrierën e saj si aktore, duke theksuar se i do historitë, dhe karriera e saj në muzikë është diçka e veçantë, ani pse këtë nuk e sheh si diçka që do të zgjasë përgjithmonë.