Showbiz

Sean Penn promovon filmin e ri “September 5”

Sean Penn

Sean Penn dhe Peter Sarsgaard parakaluan mbi qilimin e kuq të shtruar për premierën e filmit “September 5” në Los Angeles.

Penn vjen si producent i projektit ndërsa Sarsgaard luan rolin protagonist në filmin që flet për sulmin terrorist të vitit 1972 në fshatin Olimpik në Munich, dhe mënyrën se si gazetarët sportive të televizionit ABC e mbuluan këtë incident.

“Mendoj se në njëfarë mënyrë këta njerëz janë vërtet të pafajshëm. Ata nuk ishin gazetarë të lajmeve. Ata ishin gazetarë sportiv. Një gjë shumë ndryshe. Ata nuk e komentonin ngjarjen thjeshtë ishin dëshmitarë të asaj që po ndodhte. Është shumë ndryshe nga lajmet që i shohim sot, që zakonisht janë të thelluara në tregim, janë të detajuara e jo thjeshtë në formë të komentimit. Po ashtu, sot shpesh shohim lajme që synim kanë argëtimin e masës”, ka thënë Sarsgaard.

Ben Chaplin, i cili në film luan krahas aktorëve tjerë, Leonie Benesch dhe John Magaro, e ndan të njëjtin mendim me Sarsgaardin.

“Mendoj se është një lloj ironie tragjike që gazetarët e sportit u desh ta mbulonin ngjarjen, por njëherësh mendoj se shtron një pyetje vërtet të rëndësishme. Sot nuk kërkohet patjetër që lajmi të vjen nga një studio televizive, marrë parasysh që secili e xhiron dhe transmeton lajmin me një telefon mobil. Më duket se teknologjia ka avancuar, ka ecur shumë përpara aftësisë sonë për të ndërhyrë në mënyrë që t’i parandalojmë njerëzit ta përdorin lajmin për qëllime të liga. Mendoj se kjo është një pyetje e madhe dhe vërtet e rëndësishme që parashtrohet përmes filmit tonë”, ka deklaruar Chaplin.
Më 5 shtator të vitit 1972, tetë anëtarë të një grupi palestinez të quajtur “Black September”, i vranë dy pjesëtarë nga ekipi Olimpik i Izraelit si dhe morën peng nëntë persona të tjerë, derisa kërkonin lirimin e disa të burgosurve palestinezë. Ata u dërguan përfundimisht me helikopter në një aeroport aty pranë, ku forcat e rendit u përballën me ta. Personat e grabitur, një polic gjerman dhe pesë nga sulmuesit vdiqën gjatë aksionit.

Filmi po shfaqet gjatë konfliktit të vazhdueshëm midis Izraelit dhe Hamasit. Ekipi ka thënë se kjo e bën më shumë të rëndësishëm. 

Me regji të Tim Fehlbaum, “September 5” lansohet nëpër kinematë e Amerikës nga 29 nëntori.