Flokët e gjatë kanë dominuar garat e famshme të bukurisë ndër vite në Bregun e Fildishtë. Garuese nga kombi i Afrikës Perëndimore shpesh shpenzojnë shumë para në paraqitje – nga veshja e deri te flokët – e jo shumë prej tyre zgjedhin të duken natyrshëm.
Në më shumë se gjashtë dekada, kanë qenë dy përjashtime. I fundit rast ishte Marlene-Kany Kouassi, që mori titullin e Miss Bregu i Fildishtë më 2022 me flokë të shkurtër.
Triumfi i saj nuk ishte i pazakontë vetëm në këtë shtet, por në të gjithë botën.
Ndryshime pati edhe në dhjetorin e vitit të shkuar. Angelique Angarni-Filopon bëri bujë si Miss Franca kryesisht për shkak të moshës 34-vjeçare dhe flokëve të shkurtër.
E sivjet, organizatorët e garës në Bregun e Fildishtë po i nisin ndryshimet që nga fillimi.
Paruket dhe flokët e zgjatur (extensions) ndalohen që nga faza preliminare e garës.
“Duam që kandidatet të jenë natyrale – me çfarëdo stili të flokëve, ai duhet të jetë i tyre. Bukuria duhet të jetë e papërpunuar”, ka thënë Victor Yapobi, president i Komitetit Organizativ të garës.
Nuk është ky ndryshimi i vetëm në rregullat e garës së bukurisë. Edhe grave më të shkurtra do t’u lejohet garimi. Minimumi tani është 1.67 metra. Po ashtu ka ndryshuar edhe çmimi për të hyrë në garë.
Ndryshimi i rregullave ka nxitur debat të madh në shtetin afrikan.