Një grua që e ka akuzuar reperin e njohur Jay-Z për sulm seksual kur ishte vetëm 13 vjeçe, në një incizim të publikuar ABC News dëgjohet duke pranuar se reperi “nuk kishte asnjë lidhje” me atë që i kishte ndodhur.
55-vjeçari, emri i vërtetë i të cilit është Shawn Carter, u akuzua bashkë me Sean ‘Diddy’ Combs për përdhunim dhe drogim të një vajze të mitur në një after-party pas MTV Video Music Awards 2000 në New York City. Por, padia u hodh poshtë muajin e kaluar, dhe tani ABC News ka publikuar një regjistrim ku akuzuesja, e identifikuar si Jane Doe, bisedon me dy hetues privatë.
Në incizim, një hetues dëgjohet duke e pyetur:
"Ai thjesht ishte aty, por nuk kishte lidhje me asnjë akt seksual ndaj teje?”, dhe gruaja përgjigjet me “Po”.
Më tej, ajo pretendon se avokati i saj, Tony Buzbee, e kishte shtyrë të ngrinte padi ndaj Jay-Z.
“Ai ishte që më shtyu ta çoja përpara këtë çështje me Jay-Z”, ka thënë ish-akuzuesja.
Kur hetuesit e pyesin nëse Buzbee e kishte shtyrë ta bënte këtë, ajo përgjigjet duke thënë “Po”.
Tony Buzbee, avokati i Jane Doe, i ka mohur këto pretendime, duke i quajtur “gënjeshtra flagrante”.
“Sugjerimi se unë e shtyva atë të ngrejë padi kundër Jay-Z është një gënjeshtër e pastër dhe bie ndesh me të gjitha provat dokumentare”, ka thënë avokati.
Nga ana tjetër, avokati i Jay-Z, Alex Spiro, ka thënë se incizimi “flet vetë” dhe dëshmon pafajësinë e reperit.
“Ajo e thotë qartë se z. Carter nuk e ka bërë këtë. Ai është përfshirë vetëm sepse ajo u shty ta përmendte atë nga një avokat”, ka thënë Spiro.
Në një deklaratë, akuzuesja e mbrojti padinë e saj duke thënë se e kishte tërhequr atë vetëm për shkak të “frikës nga hakmarrja nga Jay-Z dhe adhuruesit e tij”.
Ajo ka mohuar që avokati i saj e kishte rekrutuar ose e kishte detyruar të paraqiste një pretendim të rremë, por ka thënë se ishte ndier “e frikësuar dhe e terrorizuar” kur u konfrontua nga hetuesit.
Në anën tjetër Spiro e ka kundërshtuar këtë.
“Ajo foli me ta vullnetarisht dhe u tha të vërtetën e saj, që Jay-Z nuk e ka bërë këtë dhe se ajo u shty të përfshinte emrin e tij nga një avokat”, ka thënë avokati.
Jay-Z ka ngritur padi për shpifje ndaj akuzueses dhe avokatit të saj, të cilët e mohojnë këtë akuzë. Avokati ka theksuar se reperi dëshiron ta mbyllë këtë kapitull dhe të ecë përpara.
“Është e vështirë të dëgjosh një gënjeshtër të përhapet në internet dhe të ndikojë te fëmijët e tu. Por ai e provoi pafajësinë e tij. Ky duhet të jetë kapitulli i fundit në këtë histori”, ka thënë avokati i reperit.
Në padinë e tij, Jay-Z pretendon se akuzat ndaj tij ishin “të rreme” dhe “dashakeqe” dhe e akuzon Jane Doe dhe avokatët e saj për përpjekje për shantazh ndaj tij.