Joni Proni, ish-truproja personal i këngëtarit tashmë të ndjerë, Liam Payne,ka theksuar se është tronditur pasi mori lajmin për vdekjen e yllit.
Pasi për 14 vjet me radhë ka shërbyer si truprojë i grupit “One Direction”, pjesë e të cilit ishte Payne, Proni ka folur ekskluzivisht për emisionin “Jetë Shqiptare”, i cili transmetohet në Radio Televizionin Shqiptar, RTSH.
Ai ka thënë se Payne ishte një person i mbyllur në vete dhe kishte probleme me alkoolin, për çka Proni ka theksuar se e kritikonte vazhdimisht dhe ia hiqte shpesh nga dora gotat që të mos konsumonte më.
“U trondita shumë, ani pse lajme të mira nuk prisja nga Liami. Kohët e fundit kam qenë i tronditur dhe i mërzitur me të. Unë kam 14 vjet me të, pija shkatërron gurin dhe di që Liami nuk ka qenë shumë mirë kohët e fundit. Nuk i vë shumë faj Liamit, por njerëzve rreth tij, pasi të gjithë të thonë PO për çdo gjë edhe kur thua ‘dua të vdes’. Kur kam qenë me të unë e kam kritikuar dhe ia kam ndaluar alkoolin, ia kam hequr nga dora. E doja si të ishte im bir, ishte një djalë i mrekullueshëm”, ka thënë Proni.
Ish-truproja përveç veseve me alkoolin, për vdekjen tragjike të këngëtarit, ka fajësuar industrinë e muzikës, për të cilën ka cekur se mban njerëzit më të degjeneruar e negativë në të gjithë botën.
“Industria e muzikës ka njerëzit më të degjeneruar që ka bota. Çdo gjë negative që e shikon në botë e bën industria e muzikës. Mënyra se si trajtohesh, servilosja, mënyra që bëjnë çdo gjë të ndyrë për t’ia bërë qejfin artistit. Për mua Liami ishte viktimë e industrisë së muzikës”, ka cekur Proni.
Ai ka thënë gjithashtu se po të isha me të ai do ishte gjallë sot, pasi Proni nuk ishte me të në Argjentinë.
Teksa rrëfente takimin e fundit me Payne, Proni ka thënë gjithashtu se e konsideronte atë si një djalë të mrekullueshëm, të dashur dhe tepër të thjeshtë.
“Për herë të fundit kam folur në fillim të korrikut dhe për herë të fundit e kam takuar vitin e kaluar në dhjetor. Liami fshihte shumë gjëra dhe nuk i shfaqte problemet që ka, por unë e kam kaptuar shumë mirë atë pasi e njoha që 16 vjeç.
Ai për këngëtarin ka thënë se ishte njeriu më i dashur që ka njohur dhe një njeri që të ftonte në shtëpi dhe të trajtonte në mënyrë të mrekullueshme.
“Ka qenë shumë i dashur me nënën dhe motrën, shumë i thjeshtë dhe ai më zgjodhi mua në fillim të vitit 2011, unë fillova i pari me të, por më pas u bëmë edhe më shumë truproja”, ka nder të tjera Proni.