Edhe pse janë të fejuar prej vitit 2016, Rosie Huntington-Whiteley dhe aktori i njohur Jason Statham nuk nguten për t’u martuar. Modelja 38-vjeçare, që ka dy fëmijë me yllin e filmave aksion, Jack, 8 vjeç, dhe Bella, 3 vjeçe, ka theksuar se martesa nuk është prioritet për të.
“Ndoshta një ditë. Nuk është diçka që ka qenë ndonjëherë jashtëzakonisht e rëndësishme për mua. Organizimi i një dasme të madhe dhe të shtrenjtë nuk më duket e domosdoshme në këtë pikë të jetës sime. Nëse e bëjmë, do të jetë diçka e thjeshtë”, ka thënë Huntington- Whiteley në një intervistë për The Sunday Times Style.
Pavarësisht diferencës në moshë prej gati 20 vjetësh, Statham është 57 vjeç, Huntington- Whiteley ka theksuar se kjo kurrë nuk ka qenë problem për ta.
“Jam e përkushtuar ndaj familjes sime. Ai ka qenë person i jashtëzakonshëm në jetën time. Ne e marrim çdo ditë siç vjen. Ka shumë dashuri, argëtim dhe humor mes nesh, dhe thjesht përpiqemi ta bëjmë të funksionojë”, ka treguar ajo.
Modelja dhe aktorja e njohur nga projekti filmik “Transformers: Dark of the Moon”, ka shtuar se suksesin në një marrëdhënie e sheh si një përpjekje të përditshme nga të dy partnerët.
“Marrëdhëniet kalojnë nëpër shumë faza. Thjesht duhet të mbahesh fort. Mundohem të paraqitem si versioni më i mirë i vetes. Mund të kontrollosh vetëm anën tënde, apo jo? Lumturia ime nuk varet nga ai. Mundohem të bëj pjesën time”, ka thënë ajo.
Në vitin 2020, familja u zhvendos nga Los Angelesi në Londër, një vendim që, sipas Hountington- Whiteleyt, u mor pjesërisht që Statham të mund të kalonte më shumë kohë me familjen.
“Jason më tha: ‘Nëse qëndrojmë në Londër, mund ta organizoj punën time atje’. Kjo ishte një arsye shumë e madhe. Ai shkon në punë dhe kthehet në fund të ditës, gjë që është shumë e veçantë për dikë në profesionin e tij”, ka shpjeguar ajo.
Modelja gjithashtu ka folur me shumë dashuri për rolin e Stathamit si baba.
“Ai është prind shumë i përfshirë dhe jashtëzakonisht i pranishëm. E quaj ‘park lodrash’ sepse gjithmonë është duke luajtur me fëmijët, duke i mbajtur në shpinë ose duke u rrotulluar me ta. Ai ka energji të jashtëzakonshme, është i pafund”, ka thënë ajo.
Ylli ka shtuar se partneri i saj është sikur të jetë vet fëmijë, por edhe një model shumë pozitiv për ta.