Shqiptarja me famë botërore, Rita Ora, është angazhuar në disa projekte të reja, ka konfirmuar nëna e saj, Vera Ora.
Rita, e cila sapo ka zbuluar koleksionin e ri të veshjeve në kuadër të bashkëpunimit me brendin e veshjeve "Primark", është duke punuar në një album të ri muzikor, do të jetë pjesë e filmave dhe disa projekte tjera televizive.
“Do të jetë e angazhuar në film, muzikë e TV. Në vitin e ri do ta bëjë një album”, ka thënë për KOHËN, nëna e saj Vera Ora.
Nëna e yllit, ndër të tjera ka thënë se po planifikojnë që festat t’i kalojnë të gjithë së bashku duke shpresuar se puna dhe obligimet t’ua mundësojnë këtë.

Përveç që udhëhoqi spektaklin “EMA”, atë të ndarjes së çmimeve nga MTV, ylli është i angazhuar edhe në projektin televiziv “The Masked Singer”.
Albumi i saj i fundit është “You & I”, të cilin e ka publikuar në muajin korrik të vitit 2023.
Ky album është i pari album solo që ka publikuar ajo që nga lansimi i albumit “Phoenix”.
“You & I”, përmban 12 këngë, përfshirë hitet “You Only Love Me”, “Praising You”, “Don’t Think Twice” dhe “Shape of Me”, këngë kjo që Rita ia dedikoi nënës së saj.
Gjatë këtij viti Rita është shfaqur edhe në filmin e kompanisë së njohur “Disney”, “The Descendants: The Rise of Red”.

Në rolin e mbretëreshës së zemrave, Ora do të shfaqet edhe në versionin e ri “The Descendant 5”, i cili do të lansohet gjatë vitit të ardhshëm.
Rol tjetër që ajo do ta luajë është ai i Mama Sukit, në projektin filmik të regjisorit të njohur, Brad Furman, “Tin Soldier”, ku do të punojë krah legjendave të filmit si Robert DeNiro dhe Jamie Foxx.

Gjatë vitit 2025 Rita Ora do të marrë pjesë edhe në projektin filmik “He Bled Neon”.
Ani pse punon shumë, paratë që fiton nuk është se i lënë shumë përshtypje Orës. Në kohën kur emri i saj po arrinte majat në vitin 2012, ajo për emisionin “Breakfast” të BBC-së, pati thënë se “nuk shqetësohet për paratë”.
“Nuk shqetësohem tash për ato para, ia kam lënë ekipit tim menaxherial që të merret me to. Vetëm jam duke u munduar që gjithnjë të jem e para e në të njëjtën kohë të kënaqem”, pati thënë Ora, e cila, sipas “Celebrity Net Worth”, ka pasuri prej 30 milionë dollarësh amerikanë.
Ajo ka fituar katër herë çmimin për “Këngën numër 1 në Britani”, përfshirë hitin e parë me DJ. Fresh, “Hot Right Now”.
E para këngë e saj që e mori këtë çmim ishte “How We Do (Party)”, në vitin 2012, pastaj me këngën “R.I.P”, në bashkëpunim me artistin Tinie Tempah dhe këngën “I Will Never Let You Down”, të cilën e ka publikuar në vitin 2014.