Showbiz

Rikthimi i fuqishëm i Pamela Andersonit me “The Last Showgirl”

Pamela Anderson

Pamela Anderson po e shijon statusin e saj të ri si aktore e nominuar për çmim “Globi i Artë”, dhe një personazh i dashur i filmit me buxhet të ulët. Ylli 57-vjeçar i Hollywoodit ka arritur të fitojë nominim në kategorinë “Aktorja më e mirë” për edicionin e ardhshëm të ceremonisë shpërblyese “Globi i Artë”. Është vlerësuar për performncën e shkëlqyer në dramën e regjisores Gia Coppola, “The Last Showgirl”. Miley Cyrus, Andrew Wyatt dhe Lykke Li po ashtu janë nominuar në kategorinë “Kënga më e mirë origjinale”, për kolonën zanore të këtij projekti.

Anderson e udhëheq kastën e përbërë nga gra të gjeneratave të ndryshme, në rolin e Shellyt, një aktore skenike e cila i bashkohet shout muzikor “Le Razzle Dazzle” në Las Vegas në vitet ’80 dhe e cila e konsideron punën e saj si një formë të veçantë të artit.

Për më shumë se 30 vjet, Shelly e ka vlerësuar familjen e adoptuar prapa skenës, ku përfshihet një ish-aktore e skenës, Annette dhe dy anëtaret e reja të grupit, Mary-Anne dhe Jodie. Por kur zbulon se shou do të mbyllet, Shelly fillon të kërkojë punë të re si aktore dhe valltare, derisa njëkohësisht mundohet t’i përmirësoj raportet me të bijën, Hannah.

Duke qenë se ka ca kohë që filmi “The Last Showgirl” është vlerësuar pretendent për të fituar ndonjë prej çmimeve kryesore në sezonin e ardhshëm të shpërblimeve në Hollywoodi, Pamela Anderson, e quajti personazhin e Shellyt, rolin më të madh në karrierën dhe jetën e saj.

“Mendoj se të gjithë thonë kështu, sepse varet në çfarë periudhe të jetës vjen një rol i tillë, por kur të ofrohet kjo mundësi, e kupton se sa rol i rëndësishëm është për karrierën tënde. Nuk kam menduar se do të kisha rastin të jem pjesë e një filmi të tillë, prandaj po e ruaj dhe shijoj çdo moment. Unë jam ende e re. Shpresoj që më pret një e ardhme e gjatë në këtë industri. Dhe po, vërtetë po ndihem sikur karriera ime veç sa ka filluar”, ka deklaruar ajo.

Regjisorja Gia Coppola kishte vetëm një aktore në mendje për ta angazhuar në rolin e kryepersonazhit në filmin e saj. 

“Nuk mund ta pranoja një përgjigje negative nga ajo. Duhej të ishte patjetër Pamela ajo që e luan rolin. Prandaj m’u desh të hulumtoja lartë e poshtë, që të gjeja një mënyrë për të rënë në kontakt me të, dhe kur më në fund u takuam, ishte shumë qesharake sepse po prezantohesha para saj duke u munduar ta bindja që të punonte me mua dhe ajo po e bënte të njëjtën gjë. Unë i thash, ‘Dua ta luash këtë rol dhe filmi mund të realizohet vetëm me ty’. Mendoj se ka kohë që ajo Meriton të vlerësohet për talentin e saj dhe jam shumë e lumtur me gjithçka që është duke ndodhur për momentin”, ka thënë regjisorja.

Aktorja veterane, Jamie Lee Curtis, tha se e ka mirëpritur mundësinë për të punuar krahas ish-yllit të serialit “Baywatch”. 

“E kam pranuar rolin e Annette sepse e dija që Pamela do të ishte pjesë e kastës. Gjithçka që Gia më ka thënë është, ‘Do ta dërgoj një skenar. Pamela Anderson do ta luaj rolin protagonist dhe filmi e ka emrin ‘The Last Showgirl’. Dua që ti ta luash rolin e mikes së saj të ngushtë’. Dhe menjëherë pas kësaj unë pranova të jem pjesë e projektit. Ajo që u tha më parë është e vërtetë. Hollywoodi na nënvlerëson të gjitha neve si gra”, u shpreh Lee Curtis.

Filmi “The Last Showgirl” lansohet nëpër kinematë e Amerikës Veriore nga 10 janari i vitit të ardhshëm.