Këngëtarja me famë botërore, me prejardhje nga ishujt Barbados, Rihanna, ka folur hapur për romancën që ka me babanë e dy djemve të saj.
Ylli i muzikës ka thënë në një intervistë për revistën “Interview” se lidhja romantike me reperin ASAP Rocky ka filluar si shoqëri pasi patën bashkëpunuar në një ripërpunim muzikor në vitin 2011 për këngën “Cockiness (Love it)”.
Gjithçka ka ndodhur përgjatë performancës së kësaj kënge në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nga MTV, kur reperi e pati shtrënguar këngëtaren duke e parë e gjithë bota ndërsa ekipi i Rihannas ishte shumë i shqetësuar për ndodhinë.
“E shihnim modën me të njëjtin këndvështrim, po ashtu edhe kreativitetin. Ishim në të njëjtin rreth. Më pas, kur u rritëm, përfunduam duke përkrahur brendet e produktet e njëri-tjetrit si dhe kreativitetin gjatë gjithë kohës”, ka thënë Rihanna.
Ajo ka thënë se lidhja e tyre romantike ka filluar rreth vitit 2019 dhe tregon se e kanë njohur njëri-tjetrin për shumë kohë.
“Ai më ka parë nëpër lidhje romantike dhe unë e kam parë atë. E kemi parë njëri-tjetrin edhe jashtë lidhjeve romantike e dinim se çfarë ishim të aftë të bëjmë dhe se do të sillnim probleme në jetët e njëri-tjetrit. Kështu pastaj filluam lidhjen duke qenë shumë të ndërgjegjshëm”, ka treguar ajo.
36-vjeçarja tutje ka thënë se pandemia Covid19 e ka përshpejtuar lidhjen e tyre.
“Po të mos kishte qenë Covidi, do të na duhej shumë më shumë kohë për të arritur të ndihemi rehat në praninë e njëri-tjetrit, mbase edhe të bëhemi të vetëdijshëm se jemi të gatshëm për të krijuar familje”, ka treguar këngëtarja.
Çifti tani kanë dy djem, Rza, dhe Riot Rose. Rihanna ka thënë se nuk kanë folur me ASAP-in rreth vendimit për të bërë fëmijë dhe se “s’kishte asgjë që ta mohonte”.
“Ishte gjëja më e mirë që na ka ndodhur”, është shprehur ajo.
E famshmja dëshiron që ta rrisë ende familjen duke thënë se “do të bëj fëmijë po aq sa të më jap Zoti”. Ajo ka thënë se do të preferonte të kishte një vajzë, por s’do t’i pengonte edhe nëse është djalë.