Paditë e njëpasnjëshme ndaj reperit P.Diddy, ku ai akuzohet për dhunë seksuale, fizike, detyrim për prostitucion e shantazh, nxorën në pah prapaskenat e ndejave të cilat ai i organizonte, e ku merrnin pjesë yje të showbizit. Në “White parties” ose ndejat e bardha, si dhe në festat “e shthurura” nëpër dhoma të hoteleve, disa nga pjesëmarrësit pretendojnë se janë droguar, detyruar e përdhunuar nga Combsi dhe nga bashkëpunëtorët e tij. Të gjitha akuzat i ka mohuar reperi, i cili ndodhet në paraburgim duke pritur gjyqin që do të nisë në maj të vitit 2025
Dikur ftesa për ndejat e organizuara nga reperi Sean “Diddy” Combs ishte një nga më të vlerësuarat në industrinë e argëtimit.
Me listë të ftuarish ku bënin pjesë emra si artistët Mariah Carey, Paris Hilton e Jennifer Lopez e Justin Biber, këto ftesa paraqisnin një shans të mirë takimi me njerëz të profilit të lartë në botën e showbizit.
“Kur Diddy ta bënte me sy e të ftonte në zonën VIP, e dije se do ta kaloje një natë përnjëmend të mrekullueshme”, ka thënë për mediumin BBC, Rob Shuter, i cili ka punuar si këshilltar për marrëdhënie me publikun i reperit në kohën kur ai ishte në kulmin e famës.
Tani ylli, e ish-punëdhënësi i Shuterit, ndodhet në një qendër paraburgimi në Brooklyn të New Yorkut, e cila ndodhet në afërsi të Hamptonit, vendi ku më parë ai festonte mes yjesh në ato që njiheshin si “White parties” (ndejat e bardha).
Rënia e Combsit nga “skena” ishte diçka e shpejtë, me padi të njëpasnjëshme për krime të rënda seksuale.
Tony Buzbee, një avokat nga Teksasi, është përfaqësues i më shumë se 100 viktimave, që pretendojnë se janë abuzuar seksualisht nga Combsi.
Reperi i lindur në Harlem vazhdimisht i ka mohuar akuzat.
“Z.Combs qëndron i fortë, i shëndetshëm e i disiplinuar, i përkushtuar plotësisht ndaj mbrojtjes së tij me mbështetjen e palëkundur të familjes, ekipit të avokatëve dhe të vërtetës”, i ka thënë BBC-së një nga zëdhënësit e tij.
“Lakmonte mbretërinë”
Shuter, i cili ka punuar për Combsin që nga viti 2002 deri në vitin 2004, ka thënë se kur filloi punën, shefi i tij ishte në momente shumë të rëndësishme në karrierë.
Combs kishte themeluar kompaninë “Bad Boy Records” në vitin 1993, llejbëll që përfaqësonte emrat më të mëdhenj të muzikës hip-hop, përfshirë Nototious B.I.G. dhe Usher.
Në vitin 1998, Combs krijoi brendin e veshjeve “Sean John”. Që atëherë filloi të merrej edhe me parfumet e alkoolin. Krijoi edhe një kompani mediale ku shfaqeshin programe të natyrës së “reality tv” ku zbuloheshin talentë të rinj.
Shuter ka thënë se kur iu bashkua për herë të parë botës së reperit, Combs donte ta lartësonte figurën e tij, duke i përdorur ndejat për ta mbajtur veten në qendër të industrisë argëtuese.
“Ai nisi të besonte se do të arrinte në qendër të vëmendjes duke u bërë mbreti i ndejave të New Yorkut”, ka thënë Shuter, duke shtuar se puna e tij ishte t’i ndihmonte yllit të qëndronte në maja.
“Është sikur të jesh pjesë e ndonjë cirku, ku Diddy ishte drejtuesi”, ka thënë ish-bashkëpunëtori.
Shuter ka shtuar se asnjëherë nuk kishte parë diçka të keqe të ndodhte, sa u përket krimeve seksuale, për të cilat akuzohet reperi.
“Nuk kam parë asnjëherë të ndodhë ndonjë krim që tani pretendohet se kanë ndodhur, gjë që është shqetësuese”.
Ai tutje ka thënë se reperi ishte tejet i fokusuar në vetveten. “Hobi i Diddyt është ‘Diddy’”, është shprehur ai.
Shuter ka treguar se Combs ka pasur fiksim të thellë për familjen mbretërore britanike, duke shtuar se i kujtohet kur Diddy i pati kërkuar më shumë 10 herë që t’i ftonte princat, Harry e William, në ndeja, duke iu ofruar atyre mbulim të shpenzimeve të udhëtimit, qëndrimin e edhe sigurinë.
Në apartamentin e tij luksoz në New York, reperi mbante në muri fotografi të princave.
“Atij i dukej vetja sikur të ishte mbret, prandaj ka plotësisht kuptim që donte t’i kishte të dy princat, në rrethin e tij të ngushtë. Por, të dy, Harry e William, asnjëherë nuk e kanë pranuar asnjë ftesë nga Combs”, ka shpjeguar Shuter.
Por t’i thuash “jo” magnatit të muzikës nuk ishte diçka që bënin shumica e njerëzve.
“Kishte gjithmonë armë përreth Diddyt”, ka treguar ai, teksa ka përshkruar detektorët metalikë në banesën e tij që ka thënë se ngjanin me ato të një aeroporti. “Ishte e çuditshme”, ka thënë Shuter.
“Nuk mund të jesh Diddy nëse njerëzit përreth teje nuk janë të besueshëm. Askush përreth tij nuk ishte ndonjë person i pakujdesshëm”, ka shpjeguar Shuter.
"White parties” me prapavijë të errët
Në zonën e Los Angelesit reperi jetonte në atë që ishte bërë e njohur si rruga më e shtrenjtë e Beverly Hillsit.
Rrethojat e larta iu mundësojnë të famshmëve të fshihen nga syri i publikut. Rezidenca e njohur “Play Boy” e Hugh Hafnerit ndodhet vetëm disa hapa larg shtëpisë së Combsit, dyert e oborrit të së cilës ishin ditë e natë të ndriçuara.
Fqinjët kanë deklaruar për BBC-në se shpesh e thërrisnin policinë për shkak të zhurmës që dëgjohej nga ndejat e magnatit.
Në dokumentet zyrtare që ka parë BBC-ja tregohet se zyrtarët policorë janë dërguar në ndejat e mbajtura në rezidencën e Combsit 14 herë brenda 7 vjetësh.
Në një rrugë ku privatësia është tejet e rëndësishme, askush nuk donte të zbulonte identitetin, por fqinjët privatisht kanë shpjeguar se ishin shumë të indinjuar e të shqetësuar me ato që kishin parë të ndodhnin.
“Për gjashtë a shtatë vjet ndodhnin vetëm festa, festa, festa”, ka thënë një nga fqinjët, e cila ka shtuar se kishte “shumë gra që dilnin e uleshin nëpër rrugët e lagjes e nuk e dinin as ku ishin”.
Kjo fqinje ka thënë se këto gra dukeshin të “humbura” dhe se “të brendshmet e tyre ishin të ekspozuara”.
Rezidenca e Combist në Beverlly Hills ishte një nga disa vendet, në të cilat i mbante festat e përvitshme “White Parties”, ngjarje që konsideroheshin të profilit të lartë, të cilat u organizuan nga viti 1998 deri në 2009.
Organizimi i tyre nisi në zonën ekskluzive të New Yorkut, Hamptons, për të cilat kishte kod strikt të veshjes me të bardha, ku bashkohej elita e vjetër e Hamptonit Lindor dhe hip-hop artistët e rinj.
Combs, njëherë, për festat e tij pati thënë se janë ngjarje të cilat thyejnë barrierat racore dhe ato të moshës.
Por, sipas njërës prej padive të fundit, ndeja më e famshme e vitit ishte “fasadë” ku lejoheshin sjellje “të liga”.
Në një nga paditë, një burrë, i cili në atë kohë ishte 16 vjeç, ka përshkruar ekzaltimin që përjetoi pasi mori vesh se do të shkonte në një nga “ndejat e bardha” të Combsit në vitin 1998, ku kishte parë emra të njohur të showbizit, duke besuar se kjo ndejë do t’ia hapte dyert për karrierë.

Ai ka shpjeguar se ishte rrugës për në tualet kur u takua me Combsin e duke folur shkuan në një vend më privat, ku, sipas padisë, reperi pasi e kishte prekur në pjesët intime, kishte thënë se i riu kishte “potencialin e duhur për t’u bërë yll”. Reperi atëkohë kishte fuqi ta bënte këdo të shndriste.
Të paktën, edhe në dy padi të tjera, flitet rreth festave.
Ish-aktorja e filmave për të rritur, Adria English, ka pretenduar se ajo ishte “e angazhuar në trafikime seksuale ndër vite” dhe kishte punuar në “White parties” disa herë, në të cilat ajo pretendon se pijeve iu hidheshin substanca narkotike.
Një tjetër padi, nga një burrë anonim, që po punonte si rojë në një nga këto ngjarje, të mbajtur në vitin 2006, thuhet gjithashtu se pijeve iu hidhej substancë narkotike.
Në padi burri pretendon se është përdhunuar nga Combsi.
Në padi të tjera, burra e gra, pretendojnë se janë detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale nga Combs dhe nga ekipi i afërt i tij, dhe të tjerë paditës kanë cekur se i ishin bindur Combsit sepse i shantazhonte dhe i druheshin fuqisë që ai kishte në industrinë e argëtimit.
Disa kanë thënë se ai i ka kërcënuar se do t’ua shkatërronte karrierën apo do t’ua pamundësonte të bëheshin të famshëm.
Ekipi i avokatëve të reperit i ka cilësuar paditë si “përpjekje për të rrëmbyer publicitet”.
Një nga zëdhënësit e yllit i ka thënë BBC-së se këto pretendime janë false.
“‘Ndejat e bardha’ të Sean Combsit nuk janë asgjë më pak se ikonike, diçka shumë e veçantë për muzikën hip-hop, për Hollwyoodin dhe ekselencën e njerëzve me ngjyrë”, ka theksuar ai.
Është shprehur i zhgënjyer nga përdoruesit e rrjeteve sociale e mediat, duke thënë se po mundohen ta “shtrembërojnë” rastin.
“Është zhgënjyese të shikohet se si mediat e komentuesit nëpër rrjete sociale po duan ta devijojnë këtë rast duke e shndërruar në diçka që nuk është e duke vënë turp mbi të famshmit që ishin të pranishëm në këto festa, duke krijuar videoklipe e fotografi që janë jashtë kontekstit e duke u munduar t’i lidhin këto festa me pretendime false, të cilat janë të pavërteta”, thuhet në deklaratën e tij.
Këngëtarja Cassie, emri i së cilës është Cassandra Ventura, me të cilën Combs ishte në lidhje për 10 vjet, e ka paditur ish-të dashurin duke thënë se e ka kontrolluar çdo aspekt të jetës së saj, duke e detyruar të marrë narkotikë, të kryejë marrëdhënie seksuale me burra të tjerë, se e ka rrahur për vite me radhë dhe se i ka kërcënuar atë dhe rrethin e saj, kur është munduar të ndahej nga ai.
Padia, e cila ishte e para në vargun e padive kundër reperit, thekson faktin se kur këngëtarja ishte në lidhje me Combsin, e kishte kuptuar se ai ka rrjet të njerëzve jashtëzakonisht të besueshëm, të cilët do të bëjnë gjithçka që ai u kërkon.
“Ajo e ka kuptuar se ishte e pafuqishme dhe se ta raportonte Combsin në polici nuk do të ndikonte në statusin që ka ai, përkundrazi, do t’i jepte atij tjetër shkas për ta lënduar”, thuhej në padinë e Venturas.
Avokatët e reperit patën mohuar akuzat duke deklaruar për BBC-në se klienti i tyre “asnjëherë s’e ka abuzuar seksualisht askënd, të mitur apo rritur, grua apo burrë”.
Ndërkohë që në shumicën e padive përmenden detaje të abuzimeve seksuale që pretendohet t’i ketë kryer Combs nëpër ndejat në pronat e tij, autoritetet janë fokusuar te festat e ashtuquajtura “të shthurura” nëpër dhomat e hoteleve, që po ashtu i organizonte reperi.
Prokurorët e kanë akuzuar atë për shantazh e krim seksual, angazhim të detyrueshëm në prostitucion e trafikim seksual, për incizim të akteve kriminale seksuale të kryera në këto ndeja, të cilat përshkruhen si ngjarje me aktivitete seksuale që zgjasnin me ditë të tëra kur përfshiheshin edhe nëpunës të seksit.
Nëpër disa padi pretendohet se Combs dhe bashkëpunëtorët e tij rezervonin dhoma hotelesh, që i mbushnin me lëndë narkotike si ketamina, lubrifikues të ndryshëm, çarçafë të shumtë, si dhe ndriçim në mënyrë që të mund t’i incizonin orgjitë.
Nëpër padi thuhet se në festat e “shthurura”, Combs “i ka goditur viktimat me objekte të ndryshme”, të cilat çonin në lëndime trupore që ndonjëherë duheshin javë të tëra për t’u shëruar.
Pjesëmarrësit pretendohet të jenë detyruar të drogoheshin, duke i kërcënuar “t’iu bindeshin urdhrave” e ku pastaj viktimat merrnin infuzione në mënyrë që të rikuperoheshin.
Padia e Venturas, e ngritur në muajin nëntor të vitit 2023, ka përfshirë detaje grafike nga ndejat “e shthurura”.
Në padi thuhet se Combs i mbante këto ngjarje për çdo javë nëpër hotele në New York e Los Angeles, të mbushura me lëndë narkotike, përfshirë ekstazinë, si dhe mijëra shishe lubrifikuesish e vaj bebesh, ndërkohë që punonjëset e seksit i transportonte me aeroplan.
Gjatë bastisjes së pronave të Combsit në Los Angeles e Miami, policia gjeti armë të tipit AR-15, magazina me kapacitet të lartë, mijëra shishe me lubrifikues dhe vaj bebesh.
“Guximi është ngjitës”
Arrestimi i Combsit dhe rrëzimi i karrierës së tij kanë ngjallur shpresë tek arkivistët e mbijetuesit e dhunës seksuale, se rasti i tij mund të nxisë ndryshime thelbësore e domethënëse në industrinë e showbizit.
Gloria Allred, avokate e të drejtat të grave, e cila ka mbrojtur shumë gra gjatë lëvizjes “MeToo”, ka thënë se bota “më në fund po e sheh se çfarë ndodh në industrinë e muzikës”.
Ajo është përfaqësuese e Thalia Graves, e cila pretendon se është droguar dhe përdhunuar nga reperi në vitin 2001.
Graves ka thënë se ishte kërcënuar nga Combs dhe nuk ka mundur të flasë, duke u frikësuar se do t’ia shkatërronte jetën.
Por Allred i ka thënë BBC-së se çështja e Combsit është larg përfundimit, duke cekur se “guximi është ngjitës” dhe se pret edhe padi të tjera ndaj tij.
Prokurorët e avokatët, me listën në rritje të padive ndaj Combsit, kanë parë se ka ende për t’u thënë.
“Combs nuk i ka bërë tërë këto gjëra vetëm. Ai ka përdorur biznesin e tij dhe të punësuarit e këtij biznesi, si dhe të tjerë bashkëpunëtorë që t’i bënte këto gjëra”, ka thënë Damian Williams, avokat nga New Yorku.
Ish-asistenti i tij ka thënë se mediatizimi i rastit që po e rrethon atë duket të jetë ironik.
“Ai donte të bëhej më i famshmi në botë, dhe ironikisht tani është”, ka thënë Shuter.
Të famshmit e përfshirë në rastin e Combsit

Mbi 100 persona po përgatisin padi për Combsin për sulm seksual, përdhunim dhe shfrytëzim seksual, pati thënë avokati, Tony Buzbee, duke theksuar se disa prej viktimave të pretenduara janë të mitur dhe se ai, me ekipin e tij do të bëjnë gjithçka për të zbardhur të vërtetën.
Erica Wolff, avokate që përfaqëson Combsin, pati thënë se ai i mohon kategorikisht të gjitha pretendimet.
Kur pati nisur të flitet për morinë e padive kundër reperit, është përfolur se mund të jenë të përfshirë shumë të famshëm të tjerë të Hollywoodit, si aktori Ashton Kutcher, reperi Jay-Z, si dhe gruaja e tij, Beyonce.
Në publik dolën fotografi nga festat e shumta që organizonte reperi, ku shihen shumë artistë, si Leonardo DiCaprio, Sarah Jessica Parker e Jennifer Lopez.
Nëpër fotografi, Diddy shihet me Lopezin në shtrat të mbuluar më jastëk. Ata ishin në lidhje nga viti 1999 deri më 2001.
Në ndejë prezent ishte edhe disenjatorja e rrobave, Kimora Lee Simons, bashkë me burrin e saj të atëhershëm Russell Simmons.
Ndërkohë Jay-Z dhe bashkëshortja e tij janë ndier tepër të nervozuar pasi në emisionin e gazetarit të njohur, Piers Morgan, u krahasuan me Combsin, pasi ai pati publikuar një intervistë të pacensuruar me këngëtaren Jaguar Wright, e cila në mënyrë eksplicite akuzonte çiftin se kanë bërë vepra ende më të këqija se Combsi.
Alex Spiro, avokati i çiftit, mbiemri i të cilëve është Carter, pati folur për mediumin TMZ, duke vënë në pikëpyetje profesionalizmin e gazetarit e duke kërkuar nga ai ta heqë intervistën dhe të kërkojë falje, ose do të përballet me urdhër nga gjykata për ta hequr intervistën në fjalë.
Ai ka shtuar se Morgan nuk do të duhej të lejonte asnjëherë që këto pretendime të rreme të ndodhnin në emisionin e tij.
Ndërkohë, “The Guardian” ka shkruar se gazetari i ka kërkuar falje çiftit Carter.
“Avokatët e tyre na kontaktuan për të na thënë se këto pretendime janë totalisht të rreme dhe nuk janë të bazuara në fakte. Prandaj i jemi bindur kërkesës ligjore për t’i hequr këto pretendime nga intervista origjinale. Ka kufizime ligjore edhe për ne dhe iu kërkojmë falje Jay-Z-së dhe Beyonces”, pati deklaruar Morgan.
Megjithatë, edhe Jay-Z, emri i vërtetë i të cilit është Shawn Carter, së fundmi është paditur nga një grua, me identitet të pazbuluar, që pretendon se Combs dhe Carter e kanë droguar dhe e kanë abuzuar seksualisht në një festë që u organizua pas ngjarjes së ndarjes së çmimeve “MTV Video Music Awards” në vitin 2000.
Jay-Z ka mohuar akuzat duke nxjerrë deklaratë të ashpër përmes kompanisë së tij, “Roc Nation”.
Avokati i tij, Spiro, ka paraqitur prova të ndryshme për të argumentuar se historia e akuzueses është “e rreme”, përfshirë pasaktësi në lidhje me kohën, siç është fakti se do t’i ishin dashur pesë orë për të udhëtuar nga Rochester në ngjarjen e MTV-së, gjë që, sipas tij, nuk përputhet me rrëfimin e paditëses për atë natë.
Të tjera pasaktësi përfshijnë pretendimin e gruas se ka parë ngjarjen në një ekran “jumbotron” jashtë MTV-së, edhe se prova të tjera tregojnë se nuk ka pasur asnjë ekran të tillë në vitin 2000.
Carter është gjithashtu i përfshirë në një mosmarrëveshje ligjore me avokatin që përfaqëson akuzuesen, Tony Buzbee, i cili akuzohet nga Jay-Z për përpjekje shantazhi, duke pretenduar se Buzbee kërkonte marrëveshje të fshehtë ligjore në këmbim të mospublikimit të akuzës.
Buzbee, nga ana tjetër, ka deklaruar se gruaja është e vendosur në akuzat e saj dhe se “gjykatat ekzistojnë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet”.
Sean “Diddy” Combs, i shpallur “Ikonë Globale” nga televizioni MTV, gjendet në paraburgim në Brooklyn të New Yorkut. Mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përkundër dorëzanisë prej 50 milionë dollarësh amerikanë. Gjykimi ndaj tij pritet të nisë të hënën e parë të muajit maj të vitit 2025.