Showbiz

Rebel Wilson nis një sfidë 6-javore për shëndetin

Rebel Wilson

Rebel Wilson

Foto: Associated Press

Aktorja australiane Rebel Wilson, e njohur për rolet komike në filma si “Pitch Perfect” dhe “Senior Year”, ka vendosur të nisë një sfidë 6-javore për shëndetin, duke i ftuar edhe ndjekësit e saj të bëhen pjesë e këtij transformimi, ka raportuar FemaleFirst.

Në një video të postuar në Instagram, Wilson e cila ka një vajzë dyvjeçare është shprehur e gatshme të nisë sfidën.

“Kush është gati për një sfidë 6-javore për shëndetin? Unë po! E kam tepruar shumë gjatë Pashkëve, të mos i përmendi fare muajt e fundit, dhe dua të kthehem në një version më të shëndetshëm të vetes”, ka thënë aktorja.

Si hap i parë, ajo ka thënë se do të heqë dorë nga çokollata dhe akullorja për gjashtë javët në vazhdim dhe po nxit adhuruesit të zgjedhin edhe ata ndonjë zakon që duan ta lënë.

Përveç heqjes dorë nga ëmbëlsirat, Wilson planifikon të shtojë zakone pozitive për shëndetin e saj mendor dhe fizik.

“Këtë javë, çdo ditë do të shkruaj pesë gjëra për të cilat jam mirënjohëse”, ka thënë ajo.

Në mbishkrimin e postimit ajo i ka inkurajuar adhuruesit që të heqin dorë nga disa ushqime me të cilat  e kanë tepruar.

“Sfidoni veten të hiqni dorë nga 1-3 gjëra që i keni tepruar së fundmi dhe zëvendësojini ato me diçka pozitive për shëndetin tuaj”, ka thënë aktorja.

Wilson ka humbur më shumë se 35 kilogramë, një rrugëtim që e nisi kur mjekët i thanë se shëndeti i saj mund të ndikonte në mundësinë për të mbetur shtatzënë.

“Nuk ishte për pamjen, por për të qenë më e shëndetshme nëse doja të bëhesha nënë. Nuk më pengonte pesha për asgjë, por ndihesha në faj për sjelljet e pashëndetshme me ushqimin, sidomos ato që ndodhnin natën vonë, kur isha vetëm e haja shumë”, pati thënë ajo në një intervistë për emisionin britanik Loose Women.

Ylli ka pranuar se kishte frikë se humbja në peshë mund t’i rrezikonte karrierën, pasi rolet që merrte shpesh ishin të lidhura me pamjen fizike.

“Në atë kohë isha futur në një ‘kuti’ në industrinë e filmit. Pesha ime ishte bërë pjesë e imazhit tim publik, ndonëse unë vetë po vuaja nga mbipesha”, pati thënë 45 vjeçja.