Pas gati një dekade, lufta ligjore midis pop-këngëtares Kesha dhe producentit Dr. Luke do të shkojë në gjykatën e New Yorkut verën e ardhshme. Kështu bëri të ditur një gjykatëse të premten (7 tetor).
Jennifer Schecter bëri të ditur se përzgjedhja e jurisë mund të fillojë në fund të qershorit ose fillim të muajit korrik, me ç’rast u kërkoi të dyja palëve që t’i zgjedhin pjesëtarët e jurisë dhe më pas t’ia kumtojnë asaj vendimin përfundimtar. Ajo i shpalosi këto data në fund të një seance dëgjimore, ku u shqyrtuan disa nga çështje ligjore dhe argumente që duhet të zgjidhen përpara se të fillojë gjyqi.
Ylli i hitit “TiK ToK” dhe producenti i nominuar për disa çmime “Grammy” e paditën njëri-tjetrin në vitin 2014. Kesha pohon se ai e ka droguar dhe dhunuar në vitin 2005, si dhe e ka abuzuar atë emocionalisht për vite të tëra. Kurse Dr. Luke e akuzon këngëtaren për shpifje, duke thënë se ajo i sajoi këto pretendime në përpjekje për ta shkëputur kontratën e bashkëpunimit me studion e tij incizuese.
Më herët një gjykatë i hodhi poshtë pretendimin e Keshas për abuzim seksual, për shkak të afateve kohore dhe çështjeve të tjera ligjore, pa vendosur nëse akuzat kishin merita ose jo.
Kesha, emri i vërtetë i së cilës është Kesha Rose Sebert, u bë e famshme në vitin 2009 me lansimin e hitit “TiK ToK”. Performanca e saj e këngës “Praying” u shndërrua në një moment emocional gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy” në vitin 2018, në kohën kur lëvizja #MeToo ishte trendi më i madh në botën e showbizit.
Ndër vite, Dr. Luke ka punuar me këngëtare të njohura të skenës muzikore, si Katy Perry, Miley Cyrus, Kelly Clarkson dhe Nicki Minaj.
Karriera e tij pësoi goditje të rëndë pasi Kesha doli publikisht me akuza ndaj tij dhe mori mbështetje nga disa artiste të tjera. Por, ai u rishfaq në vitin 2020 me emrin Tyson Trax, duke e prodhuar dhe bashkëshkruar këngën “Say So”, hiti numër një i reperes Doja Cat në toplistën e 100 këngëve më të mira “Billboard”.