Çifti Beyoncé dhe Jay Z, raportohet se janë në kërkim të një shtëpie të re në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa këngëtarja po përgatitet për turneun evropian këtë verë. Gjatë kësaj periudhe, ata pritet të marrin një shtëpi me qira në Britani, për të shmangur akomodimin në hotele.
Sipas Daily Mail, burime të afërta me çiftin kanë bërë të ditur se zjarret e fundit në Kaliforni kanë ndikuar në vendimin e tyre për të kërkuar mundësi edhe të jetesës jashtë Los Angelesit.
“Zjarret u kanë dhënë atyre një arsye të fortë për të parë mundësinë e krijimit të bazave të reja jashtë Los Angelesit”, ka thënë një burim për Daily Mail.
Megjithatë, thuhet se Kalifornia do të mbetet gjithmonë rezidenca e tyre kryesore. Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar është gjithnjë e më tërheqëse për ta – veçanërisht zonat e gjelbra si Cotswolds, ku çifti thuhet se po kërkon prona me hapësira të mëdha dhe privatësi.
“Ata janë të përqendruar tani në Cotswolds për shkak të tokës dhe hapësirës. Kanë qëndruar atje më parë, po shikojnë prona dhe do të blejnë nëse gjejnë diçka që ndihen si në shtëpi”, ka shtuar burimi.
Beyoncé po përgatitet për turneun e saj të ri, “Cowboy Carter Tour”, që do të nisë më 28 prill 2025 në Inglewood të Kalifornisë dhe përfundon më 26 korrik në Nevada, dhe ka thënë se dëshiron që edhe fëmijët të ndihen rehat gjatë kësaj periudhe. Sipas burimit, kjo është arsyeja pse çifti po mendon për një vend që i ngjan më shumë një shtëpie sesa një hoteli.
“Beyoncé dëshiron që turneu të duket diçka sa më normale apo si përditshmëri, për fëmijët, prandaj hotelet nuk janë ideale”, ka thënë ndër të tjera burimi.
Çifti ka tre fëmijë: vajzën Blue Ivy, 13 vjeçe, dhe binjakët Sir dhe Rumi, 7 vjeç.
Sipas raportimeve, ata tashmë kanë dy prona në mendje: Daylesford, pronë prej 1,700 hektarësh në pronësi të Lord Bamford, dhe Blenheim Palace, një nga rezidencat më ikonike në Britani.
Turneu evropian i Beyoncés përfshin nëntë data, me gjashtë koncerte në Londër në stadiumin Tottenham Hotspur më 5, 7, 10, 12, 14 dhe 16 qershor, si dhe tre koncerte në Stade de France në Paris më 19, 21 dhe 22 qershor.