Showbiz

Publikohen nominimet për çmimin “Globi i Artë 2022”

Foto: AP/Associated Press

Janë bërë të ditura nominimet për edicionin e 79-të të ceremonisë shpërblyese, “Globi i Artë”, ani pse ato nuk u festuan në formën tradicionale për shkak të polemikave që e rrethojnë këtë ceremoni.

Shoqata e gazetarëve të huaj e cila e organizon këtë ngjarje, vjetëve të fundit ka qenë shënjestër e kritikave të ashpra por me vend, për shkak të mungesës së diversitetit në mesin e anëtarëve të kësaj shoqate, dhe listës së artistëve të nominuar për këtë çmim që dikur konsiderohej prestigjioz e që ka për qëllim t’i nderojë projektet më të mira filmike dhe televizive.

Pavarësisht përpjekjeve të organizatorëve të ceremonisë “Globi i Artë” për ta përmirësuar reputacionin, ende ka njerëz që mendojnë se është herët për t’iu kthyer organizimit të rregullt të kësaj ngjarjeje që tradicionalisht tërhiqte numër të madh të yjeve dhe publikut, derisa disa të tjerë vazhdojnë ta kërkojnë anulimin e ceremonisë në tërësi.

Sidoqoftë ndër projektet filmike dhe televizive që po e kryesojnë listën sivjet me më së shumti nominime janë, “The Power of the Dog” dhe “Belfast”, me nga shtatë nominime gjithsej, drama e kanalit HBO, “Succession” dhe projektet e platformës “Apple Tv+”, “Ted Lasso” dhe “The Morning Show”.

Reperi i famshëm amerikan, Snoop Dogg, ishte ai i cili i lajmëroi nominimet e ceremonisë së ardhshme “Globi i Artë”.

Në mesin e yjeve dhe projekteve filmike që arritën të nominohen janë: “Cyrano”, “Don’t Look Up”, “Licorice Pizza”, “Tick, Tick ... Boom!” dhe “West Side Story”, që garojnë për çmimin “Filmi më i mirë komedi apo mjuzikëll”. Në kategorinë për dramën më të mirë, sivjet garojnë filmat “Belfast”, “CODA”, “Dune”, “King Richard” dhe “The Power of the Dog”.

Sa i përket aktorëve që sivjet janë nominuar për çmimin “Aktori më i mirë në dramë”, janë yjet: Mahershala Ali, Javier Bardem, Benedict Cumberbatch, Will Smith dhe Denzel Washington. Kurse në kategorinë “Aktori më i mirë në komedi apo mjuzikëll” të nominua janë, Leonardo DiCaprio, Peter Dinklage, Andrew Garfield, Cooper Hoffman dhe Anthony Ramos.

Ndër aktoret që garojnë për çmimin “Aktorja më e mirë në dramë”, janë: Jessica Chastain, Olivia Colman, Nicole Kidman, Lady Gaga dhe Kristen Stewart. Kurse për kategorinë “Aktorja më e mirë në komedi dhe mjuzikëll”, të nominuara janë: Marion Cotillard, Alana Haim, Jennifer Laërence, Emma Stone dhe Rachel Zegler.

Regjisorët që sivjet garojnë për çmimin “Regjisori më i mirë” janë: Kenneth Branagh me filmin “Belfast”, Jane Campion me filmin “The Power of the Dog”, Maggie Gyllenhaal me filmin debutues “The Lost Daughter”, Steven Spielberg me “West Side Story” dhe Denis Villeneuve me filmin hit të arkave filmike, “Dune”.

Filmat e animuar që sivjet kanë marrë nominim për çmimin “Globi i Artë” janë: “Encanto”, “Flee”, “Luca”, “My Sunny Maad” dhe “Raya and the Last Dragon”.

Kategoritë tjera që marrin vëmendje të madhe të publikut, sidomos vjetëve të fundit, janë ato që i nderojnë projektet dhe aktorët më të mirë në televizion.

Në kategorinë “Seriali më i mirë dramë” garojnë projektet e famshme televizive: “Lupin”, “The Morning Show”, “Pose”, “Succession” dhe hiti i Netflixit nga Korea Jugore, “Squid Game”. E për çmimin “Seriali më i mirë komedi dhe mjuzikëll” janë nominuar projektet: “The Great”, “Hacks”, “Only Murders in the Building”, “Reservation Dogs” dhe “Ted Lasso”.

Aktorët që sivjet garojnë për çmimin “Aktori më i mirë në serial dramatik” janë: Brian Cox, Lee Jung-jae, Billy Porter, Jeremy Strong dhe Omar Sy, ndërsa në kategorinë për performancën më të mirë komike të nominuar janë aktorët: Anthony Anderson, Nicholas Hoult, Steve Martin, Martin Short dhe triumfuesi I vitit të kaluar Jason Sudeikis.

Në kategorinë “Aktorja më e mirë në serial dramatik” janë nominuar yjet: Jennifer Aniston, Uzo Aduba, Christine Baranski, Elisabeth Moss dhe Mj Rodriguez. Ndërsa garën për çmimin “Aktorja më e mirë në serial komik apo mjuzikëll”, e kryesojnë aktoret: Hannah Einbender, Elle Fanning, Issa Rae, Tracee Ellis Ross dhe Jean Smart.

Kanali NBC që ka shërbyer si transmetues i kamotshëm i ceremonisë shpërblyese “Globi i Artë”, ka njoftuar se nuk do ta transmetojë edicionin e vitit 2022 sepse ndryshimet e përmasave të këtilla kërkojnë kohë dhe shumë punë e angazhim.

Organizatorët megjithëkëtë e kanë caktuar datën e ndarjes së çmimeve për 9 janar 2022, por ende nuk kanë ndarë hollësi rreth mënyrës së si planifikojnë ta organizojnë këtë ngjarje, ku do të mbahet ajo, apo si do të shfaqet për publikun e gjerë.

Përktheu: Edona Binaku