Showbiz

Prokuroria: Avokatët e P.Diddyt po kërkojnë mënyra për të shtyrë gjyqin

P.Diddy në gjyq

P.Diddy në gjyq

Foto: Associated Press

Prokurorët federalë në New York kanë akuzuar avokatët e këngëtarit dhe producentit Sean “Diddy” Combs, se po përpiqen të shtyjnë fillimin e gjyqit për trafikim seksual ndaj tij, që pritet të nisë brenda tre javësh, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Gjatë një seance gjyqësore të mbajtur të hënën, prokurorja Christy Slavik ka thënë se Combs, 55 vjeç, ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare mbi akuzat e reja që iu shtuan më 4 prill. Sipas saj, mungesa e këtij hapi dhe vonesat në ndarjen e provave mes palëve, tregojnë për një përpjekje për të shtyrë procesin.

Gjyqtari Arun Subramanian u ka dhënë avokatëve afat deri të mërkurën për të kërkuar zyrtarisht një shtyrje.

Ndërkohë, avokati i Combs, Marc Agnifilo, ka thënë se mbrojtja mund të kërkojë vetëm një “shtyrje shumë të shkurtër” prej dy javësh, për shkak të një çështjeje me provat, përfshirë një dëshmi që, sipas tij, nuk është dorëzuar plotësisht.

“Qeveria nuk e ka kërkuar nga një dëshmitare kyçe dorëzimin e rreth 200,000 emaileve të saj, vetëm i kanë kërkuar të zgjedhë vetë ato që ajo i konsideron të rëndësishme”, ka thënë ai.

Çfarë përmban aktakuza e re?

Sipas versionit të përditësuar të aktakuzës, Combs akuzohet se ka përdorur forcë, mashtrim apo shantazh për të detyruar një grua (e identifikuar si “Viktima-2”) të kryejë akte seksuale me pagesë midis viteve 2021 dhe 2024. Ai gjithashtu dyshohet se ka shfrytëzuar atë dhe gra të tjera, përfshirë punonjëse seksi, për qëllime prostitucioni.

Combs përballet gjithashtu me akuza për trafikim me njerëz dhe pjesëmarrje në një rrjet kriminal, ku përfshihen tri viktima të tjera dhe një punonjëse e tij, të cilën dyshohet se e ka detyruar për marrëdhënie seksuale.

Çfarë thonë avokatët e tij?

Mbrojtja e Combsit e ka quajtur aktakuzën e re “pa ndonjë provë të re”, duke thënë se ajo lidhet vetëm me marrëdhënie konsensuale me ish-partnere të tij afatgjata.

Por prokuroria pretendon se Diddy ka ndërtuar për vite me radhë një rrjet manipulimi e dhune, duke përdorur famën dhe ndikimin e tij për të abuzuar me gratë, duke përfshirë forma si shantazh, rrëmbim, zjarrvënie dhe rrahje fizike.

Në dokumentet zyrtare përmenden edhe ndeja të organizuara nga Combs, ku viktimat gra thuhet se janë droguar dhe janë detyruar të marrin pjesë në akte seksuale me burra, në skena të orkestruara.