Showbiz

Premiera e serialit “House of the Dragon” në New York

House of the Dragon

Aktorët e serialit “House of the Dragon”, Matt Smith, Emma D’Arcy, Olivia Cooke, Steve Toussaint dhe Eve Best, parakaluan mbi qilimin e kuq të shtruar për premierën e sezonit të dytë të shout në New York. 

“House of the Dragon” fokusohet në ngjarjet që kanë ndodhur para historisë së hitit të padiskutueshëm televiziv, “Game of Thrones”.

Smith, i cili e luan rolin e Princit Daemon Targaryen, foli për sfidat e vazhdueshme të personazhit të tij.

“Ky sezon është goxha unik. Personazhi im është disi rrëmujë, në shumë aspekte jo me vullnetin e tij. Në njëfarë mënyre është drejt humnerës. Dhe mendoj se ai është në një udhëtim mjaft kataklizmik të vetëshkatërrimit dhe zbulimit të vetvetes. Ai kryen disa akte që janë tipike për karakterin e tij, le të themi kështu, e të cilat shkaktojnë situata të papritura dhe i bëjnë gjërat të vështira për të gjithë personat e përfshirë”.

Sikurse “Game of Thrones”, edhe ky vazhdim i ri nuk kursehet për nga përmbajtja grafike. Madje, disa prej aktorëve të serialit deklaruan se e kanë të vështirë të besojnë që “situata” të tilla vijnë nga mendja e autorit, George RR Martin.

Aktorja Emma D’Arcy e cila ka një prej roleve protagoniste, për gazetarët e pranishëm në premierë foli rreth luftës për fuqizimin e gruas në këtë tregim.

“Besoj që ironia në këtë serial është te fakti që, aty ku është struktura e pushtetit mashkullor, struktura patriarkale është disi e paprekur. Prandaj, në mënyrë të pashmangshme ekzistojnë këto personazhe gra që përpiqen t’i manipulojnë burrat, dhe të ekzistojnë në një sistem që nuk është ndërtuar për t’ua dhënë të drejtën e tyre”.

Sezoni i dytë i “House of the Dragon” fillon transmetimin në HBO Max nga 16 qershori.