Showbiz

Policia argjentinase bastis hotelin ku qëndroi Liam Payne para se të vdiste

Vendosja e qirinjve te hoteli ku u vra Liam Payne

Foto: Associated Press

Policia argjentinase ka bastisur hotelin në Buenos Aires ku ish-këngëtari i grupit One Direction, Liam Payne, kishte qëndruar para se të vdiste javën e kaluar pasi ra nga kati i tretë, është thënë nga një zyrtar qeveritar të enjten, raporton agjencia “AP”. 

Një njësit special i hetimeve i policisë bastisi hotelin Casa Sur të mërkurën mbrëma me urdhër të zyrës së prokurorit publik. Zyrtarët sekuestruan sende, duke përfshirë disqet kompjuterike dhe pamjet nga kamerat e hotelit, tha një zyrtar qeveritar për “AP”, duke folur në kushte anonimiteti. 

Payne vdiq më 16 tetor pasi ra nga ballkoni i katit të tretë në lagjen turistike Palermo, në Buenos Aires. Sipas autopsisë, Payne vdiq nga lëndimet e shumta, si dhe nga gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme e shkaktuar nga rënia. Trupi i tij u gjet në oborrin e hotelit. 

Nga hetimet fillestare dyshohet se këngëtari kishte qenë vetëm dhe kishte konsumuar substanca. Pas vdekjes së Paynet, policia gjeti substanca në dhomën e tij të hotelit, si dhe disa objekte e orendi të shkatërruara, siç ka thënë zyra e prokurorit publik. 

Britaniku kishte kokainë në trupin e tij, sipas një raporti fillestar toksikologjik që u publikua të hënën në mediumet lokale. Rezultatet përfundimtare nuk pritet të bëhen publike për disa javë. 

Hoteli “Casa Sur” është bërë vend ku fansat e Paynet po bëjnë nderime. Ata kanë vendosur lule, qirinj dhe foto të këngëtarit rreth një peme në hyrje të hotelit.