“Plane” titullohet filmi i ardhshëm amerikan që i takon zhanrit aksion dhe triler. Ky projekt vjen me regji të Jean-François Richet kurse në rolin protagonist e sjell yllin e kinematografisë, Gerard Butler.
Filmi flet për pilotin komercial, Brodie Torrance, i cili e realizon një ulje emergjente të aeroplanit për shkak të një stuhie rrënuese. Avioni ateron në ishullin armiqësor Jolo Island në Filipine. Shumë shpejt, pasagjerët përfundojnë duke u kidnapuar nga militantët lokalë të ishullit. Duke qenë se ekipi shpëtues hasë në vështirësi për ta gjetur vendndodhjen e tyre, Brodie vendos të kërkojë ndihmë nga i dënuari i arratisur që ai po transportonte përgjatë fluturimit të tij komercial. Së bashku, ata punojnë për t’i shpëtuar pasagjerët dhe për t’i larguar një herë e përgjithmonë nga ishulli.
Krahas Gerardit, në film po ashtu luajnë aktorët, Mike Colter, Yoson An, Tony Goldwin, Daniella Pineda dhe të tjerë.
“Plane” lansohet nëpër kinematë e Amerikës më 27 janar të vitit të ardhshëm.