Showbiz

Pete Davidson: Rrjetet sociale janë djalli

Pete Davidson

Pete Davidson

Foto: Associated Press

Ylli televiziv, Pete Davidson, beson se rrjetet sociale janë “djalli” dhe mendon se njerëzit do të ishin shumë më të lumtur pa ankthin që vjen nga bota online.

Komediani, i njohur që nuk ka llogari në asnjë platformë sociale, ka treguar për revistën People  se e përjeton shoqërinë moderne si sfidë të vështirë dhe vetëm mund ta imagjinojë sa më keq është për të rinjtë që rriten me telefona në duar.

“Po e kam të vështirë në shoqërinë e sotme, dhe nuk mund ta imagjinoj si është të rritesh me një pajisje që të bën të mjerueshëm gjithë ditën dhe të mashtron duke të bërë të mendosh se duhet të jesh vazhdimisht online. Mendoj se mediat sociale dhe interneti në përgjithësi janë djalli — dhe jam i bindur që në pesë, dhjetë, njëzet vjetët e ardhshme do të dalin studime që do të tregojnë si e kanë shkatërruar të ardhmen e njerëzimit”, ka thënë ai.

Davidson, ish-ylli i spektkalit Saturday Night Live, ka pranuar se mund të jetë “frikësuese” dhe “e pakëndshme” për njerëzit të lënë telefonin anash, por i inkurajon të provojnë.

“Ju premtoj që ia vlen të flisni me një njeri dhe të shihni që ekziston ende mirësi në botë”, ka thënë ai.

Megjithëse para publikut duket i sigurt në vetvete, Davidson ka theksuar se realiteti është krejt ndryshe. Babai i tij, Scott Matthew Davidson, zjarrfikës, humbi jetën gjatë sulmeve terroriste në New York në vitin 2001, kur Davidson ishte vetëm shtatë vjeç.

“Nëse mendoni se kam vetëbesim, atëherë i kam mashtruar të gjithë. Është shumë e vështirë të shprehësh diçka në intervistë pa pasur frikë se do të keqkuptohesh. Por pata një fëmijëri vërtet të tmerrshme dhe më ndodhi gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte një fëmije”, ka thënë 31 vjeçi.