Showbiz

Pesë filmat më të shikuar të javës në arkat filmike

Kampion i javës në arkat filmike të Amerikës Veriore vazhdon të jetë projekti i fundit i bazuar në universin kinematik “Marvel”, “Black Panther: Wakanda Forever”. Në javën e katërt të shfaqjes nëpër kinema, ky film arriti t’i fitojë edhe 17.5 milionë dollarë, të cilat i shtohen shumës totale të arkëtuar deri më tani prej 393 milionë dollarësh. Në këtë vazhdim të dytë, qytetarët e Wakandas shihen duke e vajtuar vdekjen e mbretit të tyre, T’Challa, dhe bëhen gati ta mbrojnë popullin nga një kërcënim i ri, një luftë me mbretërinë ujore të Atlantidës e udhëhequr nga personazhi negativ, Namor, i cili në film portretizohet nga aktori meksikan Tenoch Huerta. Aktorët që i përsërisin rolet e tyre në filmin e ardhshëm janë, Angela Bassett, Letitia Wright, Lupita Nyong’o, Winston Duke dhe Danai Gurira.

Në vendin e dytë arriti të pozicionohet filmi “Violent Night”, falë 13.5 milionë dollarëve të fituara në javën debutuese. Ky konsiderohet një debutim i mirë për projektin e regjisorit Tommy Wirkola, i cili në rolin kryesor e sjell aktorin e pakrahasueshëm, David Harbour. Në këtë film jashtëzakonisht origjinal, argëtues dhe paksa banal, ai e portretizon superheroin e parë të të gjithë fëmijëve, që është Babadimri. Por, kësaj radhe ai vjen më ndryshe, i dehur, i dhunshëm dhe vrasës. Krahas Harbourit, në “Violent Night” luajnë edhe aktorët, John Leguizamo, Alex Hassell, Alexis Louder, Edi Patterson, Cam Gigandet, Leah Brady, and Beverly D’Angelo.

Me 5.1 milionë dollarë të arkëtuara brenda javës së dytë të shfaqjes nëpër kinematë e Amerikës Veriore, në pozitën e tretë gjendet filmi i animuar, “Strange World”. Filmi e rrëfen historinë e një familjeje legjendare të eksploruesve, ë cilët duhet t’i lënë mënjanë dallimet e tyre ndërsa nisin një udhëtim në një tokë misterioze të banuar nga forma të jetës surreale, në mënyrë që ta shpëtojnë një burim të energjisë të quajtur Pando. Zërat për personazhet e filmit i kanë huazuar aktorë të famshëm të hollywoodit si, Jake Gyllenhaal, Dennis Quaid, Jaboukie Young-White, Gabrielle Union dhe Lucy Liu.

Në vendin e katërt, me 3.5 milionë të fituara ekstra pozicionohet komedia e errët, “The Menu”. Deri më tani ky projekt i ka arkëtuar gjithsej 24.6 milionë dollarë. Filmi e rrëfen historinë e çiftit të ri, Margot dhe Tyler, të cilët udhëtojnë në një ishull të largët për ta ngrënë një darkë speciale në restorantin “Hawthorne”, i cili drejtohet nga shefi i famshëm i kuzhinës, Slowik. Ai e përgatit një menu luksoze të gastronomisë molekulare ku ushqimi trajtohet si art konceptual, por qasja e tij ndaj kuzhinës ka disa surpriza tronditëse për mysafirët e tij pasanikë. Ky projekt vjen me i realizuar nga regjisori Mark Mylod, kurse në rolet protagoniste luajnë aktorët, Anya Taylor-Joy, Nicholas Hoult, Ralhp Fiennes, Hong Chau, Judith Light, John Leguizamo dhe Aimee Carrerom.

Top-pesëshja këtë javë u plotësua me filmin biografik, “Devotion”, falë 5.9 milionë dollarëve të fituara ekstra. I bazuar në histori të vërtetë, ky projekt e ekranizon jetën e pilotëve luftarak, Jesse Brown dhe Tom Hudner, të cilët e dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë Luftës Koreane. Filmi vjen me regji të J. D. Dillardit, kurse në rolet kryesore i sjell aktorët, Jonathan Majors, Glen Powell, Christina Jackson, Joe Jonas, Nick Hargrove, Spencer Neville, Thomas Sadoski dhe Daren Kagasoff.