Aktorja me famë botërore, Angelina Jolie ka ndarë përvojën e saj për rolin e Maria Callas në filmin “Maria”, duke thanë se për të luajtur këtë rol ka pasur nevojë të mësonte se si të frymojë përsëri.
"Të gjithë ne, vërtet, nuk e kuptojmë se në cilin vend të trupit tonë i mbajmë eksperiencat që na ndodhin në jetë dhe përvojat e ndryshme", është shprehur ajo në një intervistë për agjencinë “Associated Press”.

Aktorja ka theksuar se përvojat që ajo ka kaluar gjatë jetës, shpesh ndodhën “në stomakun dhe në gjoksin e saj”, dhe se frymëmarrja e saj ndryshon kur është e shqetësuar apo e trishtuar.
“Java e parë ishte më e vështira, sepse trupi im duhej të hapej dhe duhej të frymoja përsëri. Dhe ky ishte një lloj zbulim i asaj që nuk isha duke bërë deri më tash”, ka shtuar ajo.

Filmi, i cili do të shfaqet nëpër kinema dhe në platformën transmetuese “Netflix” më 11 dhjetor, pasqyron momentet e fundit të jetës së Callas, e cila ka humbur zërin dhe është duke tentuar të rishikojë identitetin e saj.
Në këtë rol, Jolie ka sjellë një interpretim të fuqishëm, të cilin disa e shohin si mundësinë e saj për një nominim të tretë për çmimin “Oscar”.
Ajo ka fituar çmimin për “aktoren më të mirë në rol dytësor” për rolin që ka luajtur në filmin “Girl, Interrupted” në vitin 2000.
Lajmi për rikthimin e Jolies në kinema vjen pas disa viteve pauzë, gjatë të cilave ajo ishte përqendruar në drejtimin e filmave dhe rritjen e gjashtë fëmijëve të saj.
“Për disa vite, zgjedhjet e mia kishin të bëjnë me zgjedhje të shpejta financiare dhe ishin të shkurtra. Kam punuar shumë pak gjatë tetë viteve të fundit”, thotë Jolie, duke shtuar se ndihej e shteruar e nuk mund të punonte për një kohë”.
Jolie ka pasur edhe fëmijët e saj më të mëdhenj, Maddox dhe Pax, të pranishëm gjatë xhirimeve të filmit, ku ata kanë parë një anë të nënës që nuk e kishin parë më parë.

“Ata kishin parë ndoshta më parë që unë isha e trishtuar në jetën time, por nuk qaj përpara fëmijëve të mi në atë mënyrë”, ka treguar ajo.
Ky proces e ka ndihmuar Jolien të përballet me emocionet e thella dhe dhimbjet që ajo ka mbajtur gjatë viteve, një përvojë që mund të lidhet me sfidat e saj personale, përfshirë divorcin nga ish-burri i saj, aktori, Brad Pitt.
Kur regjisori Pablo Larraín e ftoi për rolin, ai i shfaqi filmin “Spencer” (për Princess Diana), dhe ishte i bindur se Jolie ishte zgjedhja ideale për të portretizuar Callasin, duke vlerësuar aftësinë e saj për të transmetuar një karakter të veçantë.

“E ndjeva që mund ta kishte atë lloj tërheqje dhe që mund të sjellë rolin e një gruaje që ka kaluar në një pikë të jetës ku duhet të rimarrë kontrollin”, ka thënë Larraín.
Për Jolien, ky rol ka qenë një udhëtim personal, dhe ajo e ka ndjerë se Callas është bërë një “shoqe” e saj.

“Kur luan një person të vërtetë, në një moment e ndjen që ata bëhen shokët e tu”, ka thënë Jolie.
Ylli ka shtuar se tani ende i duket si diçka personale.

Traileri i filmit "Maria":