Reperit të njohur, Sean “Diddy” Combs i është lejuar të ketë qasje ditore në një laptop gjatë kohës që është në paraburgim.
Kjo ka ndodhur pas ankesave nga ekipi i tij ligjor për kufizime, që thuhet se pengonin përgatitjen e tij për gjyqin.
55 vjeçi është duke u përballur me akuza për trafikim seksual dhe krim të organizuar, ndërkohë që avokatët e tij kishin theksuar se ai nuk po merrte mjetet e nevojshme për të përgatitur mbrojtjen në qendrën e paraburgimit në Brooklyn.
Një vendim i nënshkruar nga gjykatësi Arun Sibramanian, të cilin e ka marrë E! News, përcakton që Combsi mund ta përdorë “Laptopin e dërguar” çdo ditë nga ora 8:00 deri në 15:30, por me kushte të rrepta.
Laptopi është i ngarkuar me materiale për shqyrtim, por nuk mund të përdoret për të marrë shënime ose për të ruajtur materiale.
Gjykatësi ka theksuar se laptopi mund të përdoret vetëm për të shqyrtuar materialet e dërguara dhe nuk mund të ketë funksione të tjera.
“Nëse i akuzuari dëshiron qasje më të gjerë në laptop, ai dhe ekipi i tij ligjor duhet ta diskutojnë këtë me Byronë e Burgjeve (BOP) dhe të shqyrtojnë çdo propozim të arsyeshëm me mirëbesim”, ka deklaruar gjykatësi.
Ai gjithashtu bëri të ditur se çdo propozim i ri duhet të marrë parasysh materialet që ruhen në laptop dhe sigurinë e Combs, pasi ai nuk është i izoluar në një njësi të veçantë.
Avokatët e Combsit më parë ishin ankuar për “kufizime të paarsyeshme” në përdorimin e laptopit.
“Ne shkruajmë në emër të z. Combs për të kërkuar që gjykata t’i japë urdhër qendrës së paraburgimit që t’i japë z. Combs laptopin të cilin autoritetet e ka përgatitur për të, dhe ta lejojë atë ta përdorë në qelinë e tij, siç lejohet t'i përdorin laptopët të gjithë të tjerët aty”, kanë shkruar avokatët e Combsit, Marc Agnifilo dhe Teny Geragos, në një letër dërguar gjykatës.
Ata gjithashtu kanë njoftuar se “dy muaj pas ndalimit të tij, më 25 nëntor 2024, i dhanë qendrës së paraburgimit një laptop për t’u përdorur nga Combs për të shqyrtuar materialet dhe për të marrë shënime lidhur me rastin e tij”.
Në këtë letër, avokatët e Combs pohuan se laptopi nuk ishte ofruar për 9 ditë pas dorëzimit të tij, pavarësisht kërkesave të shumta nga ekipi mbrojtës.
“Nuk ka asnjë justifikim për kufizimet që pengonin përgatitjen e duhur të Combsit dhe kufizonin komunikimin e tij me avokatët”, kanë argumentuar ata.
Për më tepër, ekipi i Combs ka akuzuar autoritetet për përpjekje për të monitoruar shënimet e tij me dorë. Ata pretenduan se prokurorët kishin marrë materiale konfidenciale të marrëdhënies avokat-klient nga qelia e Combs, ku përfshiheshin dëshmitarë të mundshëm dhe strategji mbrojtjeje, të cilat ishin sekuestruar nga hetuesit dhe që, sipas mbrojtjes, shkelin të drejtat kushtetuese të klientit të tyre.
Combs pritet të dalë në gjyq në muajin maj të vitit 2025, ku do të përballet me akuza për shantazh, trafikim seksual me forcë, mashtrim ose kërcënim, dhe transportim për të marrë pjesë në prostitucion.
Ai ka mohuar të gjitha akuzat, ndërkohë që mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përkundër dorëzanisë prej 50 milionë dollarëve amerikanë.