Sean “Diddy” Combs, reperi që po përballet me akuza për trafikim seksual dhe krim të organizuar, ka paditur Courtney Burgess, një burrë i cili pretendon se ka video që e tregojnë Combsin duke bërë marrëdhënie intime nëpër "festat e çmendura”, përfshirë disa video që ai pretendon se përfshijnë persona të mitur.
The New York Times ka shkruar se kjo ka ndodhur pas disa intervistave që Burgess ka dhënë në disa podkaste si dhe në një intervistë në kanalin televiziv NewsNation.
Në padi, Combsi thotë se këto video nuk ekzistojnë dhe e akuzon Burgessin për shpifje dhe për krijimin e spekulimeve, sipas tij, të pabaza që kanë dëmtuar rëndë reputacionin e tij.
“Një numër i madh njerëzish që dëgjuan dhe besuan gënjeshtrat e të paditurve, e kanë akuzuar Combsin sikur të ishte ‘monstrum’ dhe ‘pedofil’,” thuhet në padinë e tij.
Burgess, nga ana tjetër, ka qëndruar prapa akuzave që ka bërë.
“Ai ka shumë guxim të më padit mua kur ai do të kalojë pjesën tjetër të jetës në burg për të gjitha ato që ka bërë”, ka thënë Burgess.
Combs me këtë padi po përpiqet të mbrojë reputacionin e tij, duke thënë se akuza të tilla mund të ndikojnë negativisht në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër tij, ku ai akuzohet për sulme seksuale që pretendohet të kenë ndodhur pa pëlqimin e palëve të përfshira.
Ndërkohë Burgess ka pranuar se nuk e njeh personalisht Combsin dhe ka thënë se i ka marrë videot nga një ndërmjetës, së bashku me një dorëshkrim të një libri që pretendonte të ishte një version i parë i kujtimeve të Kim Porter, ish-gruas së Combsit, me të cilën kishte një marrëdhënie të gjatë.

Ky libër u tërhoq nga gjigandi “Amazon” pasi u vlerësua si një mashtrim.
Në anën tjetër, avokatja e Burgess, Ariel Mitchell-Kidd, ka reaguar duke thënë se Combs po përpiqet t'i heshtë viktimat.
“Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për t'i heshtur viktimat dhe ata që qëndrojnë përkrah tyre", ka thënë avokatja duke shtuar se do të padisë Combsin dhe avokatët e tij për këtë padi “të pabazë”.
Ky zhvillim është një pjesë e një serie akuzash të tjera me të cilat po përballet Combs, që përfshijnë më shumë se 30 padi për sulme seksuale.
Ai ka deklaruar se asnjëherë nuk e ka sulmuar seksualisht askënd, pavarësisht akuzave.

Comc aktualisht ndodhet në paraburgim në Brooklyn të New Yorkut. Mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përkundër dorëzanisë prej 50 milionë dollarësh amerikanë. Gjykimi ndaj reperit pritet të nisë të hënën e parë të muajit maj të këtij viti.