Reperi Sean “Diddy” Combs nuk ishte në dijeni se telefonata e tij nga burgu me kolegun e tij Kanye West ishte incizuar dhe publikuar, ka thënë për “The New York Post” një burim i afërt me çështjen.
Një video e publikuar të hënën nga The Shade Room në Instagram shfaqte Westin, 47 vjeç, duke folur në telefon me Combsin, 55 vjeç. Videoja dukej sikur ishte regjistruar nga vetë West, por nuk dihet se kush e ka publikuar.
“Puff nuk e dinte që po incizohej”, ka thënë burimi, duke shtuar se Combs “mendonte se po fliste me shokun që po e telefononte për të pyetur për fëmijët e tij”.
Megjithëse të gjitha telefonatat nga burgu incizohen dhe ruhen nga autoritetet, ato zakonisht nuk bëhen publike.
Për të ndalur spekulimet në rrjetet sociale mbi vërtetësinë e telefonatës, burimi ka konfirmuar se “Telefonata ishte reale dhe jo e manipuluar me AI”.
Çfarë u diskutua në telefonatën e incizuar?
Combs aktualisht ndodhet në paraburgim në Brooklyn të New Yorkut, duke pritur gjyqin për akuzat për trafikim seksual, zhvatje dhe transport për qëllime prostitucioni. Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Në bisedën me West, Combs e inkurajoi reperin që “të argëtohet” dhe “t’i kthehet mikrofonit”. Ai gjithashtu e falënderoi Westin që është kujdesur për fëmijët e tij pas arrestimit në shtator.
Diddy ka shtatë fëmijë, Christian (26 vjeç) dhe binjaket Jessie dhe D’Lila (17 vjeç) nga lidhja me të ndjerën Kim Porter, Quincyn (33 vjeç), fëmija i Porterit dhe AI B që u birësua nga Diddy. Justin (31 vjeç), Chance (18 vjeç), Love (2 vjeç), nga marrëdhëniet me Misa Hylton, Sarah Chapman dhe Dana Tran.
Një burim ka konfirmuar për The New York Post se “fëmijët e Diddyt janë në kontakt me Westin”.
Përdorimi i telefonatës në këngën e re
West ka përdorur një pjesë të fjalëve të Combsit nga kjo telefonatë në fillimin e këngës së tij të re “Lonely Roads Still Go to Sunshine”, një fragment i së cilës u publikua të shtunën në X, përpara se të fshihej.
“West është thjesht West”, ka thënë burimi, duke sugjeruar se reperi nuk e kishte incizuar me ndonjë qëllim të keq.
“Nuk ishte një veprim i qëllimshëm, ndodhi në mënyrë të thjeshtë”, ka thënë tutje burimi.
Kënga përfshin gjithashtu vokalet e vajzës 11-vjeçare të Westit, North West të cilën e ka me ish-bashkëshorten Kim Kardashian. Kardashian, 44 vjeçe, u raportua se u përpoq ta ndalonte Westin të përdorte zërin e vajzës së tyre, duke shkaktuar një konflikt të madh mes ish-bashkëshortëve në rrjetet sociale.
“Diddy është dëm anësor në përplasjen rreth këngës së re të Westit, beteja e vërtetë është me Kim”, ka thënë burimi në lidhje me publikimin e telefonatës.
Situata është përshkruar si rast ku “burrat me ndikim po marrin vendime pa bërë shumë kujdes”, ka shtuar burimi.
Për momentin, përfaqësuesit e Combsit nuk kanë dhënë asnjë koment për The New York Post, ndërsa një zëdhënës i Westit nuk ka pranuar të përgjigjej mbi faktin nëse reperi e kishte incizuar qëllimisht telefonatën.