Reperi me famë botërore, 50 Cent, ka reaguar pasi shtëpia e reperit të mirënjohur Sean Diddy Combs, P.Diddy, është bastisur të martën, si pasojë e disa padive që janë ngritur kundër tij për trafikim me qenie njerëzore, dhunë e ngacmime seksuale.
“Kjo po bëhet serioze. Policia në të gjitha shtëpitë, ia prangosën edhe fëmijët”, ka shkruar 50 Cent, në rrjete sociale.
Komenti i reperit vjen pasi që pronat e P.Diddyt, në Los Angeles e Miami u bastisën nga policia shtetërore, e cila ka deklaruar se kjo ndodhi për shkak të padive që mori ai përgjatë fundit të vitit të kaluar. Ndërkohë avokati i P.Diddyt, ka insistuar se “kjo bastisje ishte vetëm një shfaqje e forcës në sy të publikut”.
“Dje u bë një show i pështirë pasi forcat e nivelit ushtarak u dërguan të bastisin pronat e z. Combs. Nuk ka arsyetim për shfaqjen e forcës që bënë duke shfaqur dhunë nga autoritet. S’ka arsyetim as për mënyrën se si u trajtuan fëmijët e tij e stafin e punësuar aty. Z. Combs nuk u arrestua asnjëherë, por ka folur dhe ka bashkëpunuar me autoritetet. Pavarësisht spekulimeve në media, as z.Combs e as një anëtar i familjes së tij nuk u arrestuan, e as nuk iu është ndaluar mundësia për të udhëtuar në asnjë mënyrë”, ka thënë avokati.
P.Diddy u padit nga katër gra të ndryshme, të cilat e akuzojnë për trafikim, dhunë e ngacmim seksual.
Ndër këto gra ishte edhe ish e dashura e tij, këngëtarja Cassie, me të cilën ishte në lidhje romantike për 10 vite. Padia e Cassiet u zgjidh në instanca private vetëm një ditë pasi u paraqit.
Ai akuzohet ngjashëm edhe nga një burrë me të cilin kishte bashkëpunuar në kompaninë e tij, Bad Boy Records.