Muzika e reperit të njohur, Sean Diddy Combs, ka shënuar rritje nëpër kanalet transmetuese për 18.3 për qind, që nga arrestimi i tij javën e kaluar për trafikim seksual e shantazh.
Nën nofkat e tij profesionale, përfshirë Diddy, Puff Daddy dhe P.Diddy, kompania e të dhënave të industrisë së showbizit, “Luminate”, ka thënë se muzika e reperit shënoi rritje në javën e parë pas arrestimit të tij më 17 shtator, krahasuar më javët e mëparshme, shkruan AP.
George Howard, profesor në kolegjin muzikor Barklee, ka thënë se nuk u befasua nga kjo rritje. Për të, transmetimi i këngëve të reperit vjen pas kërkimeve në platformën “Google” që bëjnë njerëzit për të shuar kureshtjen.
“Muzika bëhet vetëm një tjetër copëz e informacionit ndërkohë që njerëzit mundohen të krahasojnë ngjarjen. Njerëzit mund të mendojnë ‘si funksionon truri i dikujt që bën vepra të tilla, si do të tingëllonte muzika e tyre?’”, ka thënë Howard.
Pasi Combs kishte shumë ndërmarrje biznesore, përfshirë kanalin televiziv Revolt TV, pijen alkoolike, vodkën Ciroc, në të cilat më nuk është aksionar, Howard ka thënë se shumë njerëz ndoshta e mendojnë Combsin si biznesmen sesa si muzikant.
Rritja e transmetimit të muzikës pas kontroversitetit të tillë nuk është e rrallë. Pas një dokumentari për këngëtarin, R.Kelly, për sjellje të pahijshme ku përfshiheshin vajza të mitura, transmetimi i muzikës së tij përjetoi rritje të dyfishtë.
Anonimiteti është një tjetër faktor që Howard mendon se ka çuar në suksese të transmetimit të muzikës së dy këngëtarëve në fjalë pas arrestimit.
“Imagjinoni sikur të shkojë dikush në një dyqan tash e të thotë: ‘Dua t’i blej disa disqe të P.Diddyt’”, ka thënë ai.
Combs akuzohet për trafikim seksual dhe shantazh, me pretendime që datojnë qysh prej vitit 2008, me akuzat për abuzim, kërcënim e detyrim të grave për vite me radhë për t’i përmbushur dëshirat e tij seksuale, të mbrojnë reputacionin e tij dhe të fshehin sjelljen e tij.
Ai është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave.