Showbiz

Pas akuzave për ngacmim seksual ndaj Baldonit, jep dorëheqje kolegia e tij e podcastit

Justin Baldoni dhe Liz Plank

Justin Baldoni dhe Liz Plank

Liz Plank, kolegia e aktorit të njohur Justin Baldoni, me të cilën e ka udhëhequr podcastin “The Man Enough”, ka dhënë dorëheqje pas padisë që ka ngritur aktorja Blake Lively kundër Baldonit.

FemaleFirst ka shkruar se aktori 40 vjeç, që nga viti 2021 ka pasur problem me Pankun dhe udhëheqësin e kompanisë “Wayfarer Studios”, Jamey Heath, por që nga padia që ka ngritur Lively ndaj tij për ngacmim seksual e përpjekje të prishjes së reputacionit, Liz ka bërë të ditur se jep dorëheqje nga podcasti.

“U kam thënë përfaqësuesve të mi që ta informojnë 'Wayfarerin' që nuk do ta bashkëudhëheq më podcastin ‘The man Enough’. Faleminderit që më keni besuar gjatë kësaj kohe e që e keni bërë këtë show atë që është. Do të më mungoni shumë. E dua atë që ka krijuar ky komunitet bashkë me çdo qelizë të qenies time”, ka shkruar Plank në një postim në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram.

Ajo ka shtuar se ndërsa ky kapitull po mbyllet për të ajo do të qëndrojë e përkushtuar ndaj vlerave që ka ndërtuar bashkë me ndjekësit e podcastit.

“Ndërkohë do të vazhdojë të mbështes çdo kënd që vë në pah padrejtësinë”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Jamey Heath gjithashtu përmendet në padinë e Livelyt.

Ndërkohë Baldoni, të cilit agjencia e tij, WME, ia shkëputi kontratën pas padisë që ngiti Lively, i është tërhequr çmimi që ai kishte marrë “për avokimin pro grave e vajzave” vetëm disa javë para ngritjes së padisë.

“Çmimi ‘zëri i solidaritetit’ nderon burrat e jashtëzakonshëm që kanë treguar kurajë duke avokuar pro grave e vajzave. Më 9 dhjetor 2024 i kemi dhënë Justin Baldonit këtë çmim. Të shtunën më 21 dhjetor, mësuam nga raportimet në lajme se Blake Lively e ka paditur Baldonin, këshilltarin tij për sjellje të pahijshme. Komunikimi në mes të Baldonit dhe këshilltarit të tij gjithashtu është përfshirë në padi, dhe përpjekjet për dëmtim imazhi që kanë bërë, janë në kundërshtim me vlerat vitale të këtij çmimi. Kemi njoftuar z. Baldoni se e kemi tërhequr çmimin e dhënë për të”, ka shkruar organizata në deklaratën e dhënë përmes Instagramit.

Ndërkohë Baldoni i ka mohuar të gjitha akuzat e Livelyt, duke e akuzuar atë se padia ndaj tij është "përpjekje e saj për ta përmirësuar reputacionin negativ".