Showbiz

Pas akuzave për krime seksuale reagon autori britanik Neil Gaiman

Neil Gaiman

Autori britanik, Neil Gaiman, ka mohuar akuzat për krime seksuale pas publikimit të pretendimeve nga disa gra që e akuzojnë për sulm seksual. Gaiman, autori i njohur i serisë së komikëve “The Sandman” dhe romanit “American Gods”, lëshoi një deklaratë, përmes së cilës ka thënë se nuk është përfshirë në asnjë aktivitet seksual pa pëlqim.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka shkruar se deklarata e tij erdhi pas një artikulli në revistën “New York Magazine”, që përmendte akuzat e tetë grave, përfshirë katër që ishin transmetuar më parë në një podcast nga “Tortoise Media” në muajin korrik.

“Kam lexuar me trishtim, historitë që qarkullojnë për mua në internet prej muajsh. Ndërsa lexova këtë koleksion të fundit të rrëfimeve, pati momente që i njoh dhe që nuk i njoh, përshkrime të ngjarjeve që ulen përballë atyre që nuk ndodhën kurrë. Unë nuk jam një njeri i përsosur, por nuk jam përfshirë kurrë në aktivitet seksual pa pëlqim me askënd. Kurrë”, ka shkruar Gaiman në platformën sociale “Tumblr”.

Gaiman vazhdoi duke thënë se, pasi kishte rishikuar mesazhet që kishte shkëmbyer me akuzueset, ato ende dukeshin si “dy njerëz që donin të kryenin marrëdhënie seksuale tërësisht të vetëdijshme dhe dëshironin të shiheshin përsëri”.

Ai po ashtu e pranoi se duke i parë ato tani pas kaq vitesh, kuptoi se mund të kishte vepruar ndryshe.

“Dhe gjithashtu e kuptoj, duke i rishikuar ato mesazhe, se mund të kem bërë shumë më tepër dhe duhet të kisha qenë më i kujdesshëm. Kam qenë emocionalisht i paarritshëm duke qenë seksualisht i disponueshëm, i përqendruar te vetja dhe jo aq i kthjellët sa mund të kisha qenë. Kam qenë padyshim i pakujdesshëm me zemrat dhe ndjenjat e njerëzve, dhe kjo është diçka që e pendohem thellësisht”, ka thënë ndër të tjera ai.

Shumica e akuzave lidhen me periudhën kur Gaiman ishte në të dyzetat e tij ose më i vjetër, dhe jetonte në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe Zelandë të Re. 
Një nga akuzueset, Scarlett Pavlovich, ka thënë për “New York Magazine” se e takoi Gaimanin përmes gruas së tij, këngëtares Amanda Palmer, në një ishull të Zelandës së Re ku ata jetonin me djalin e tyre në vitin 2022. 
Pavlovich ka pretenduar se Gaiman e ka abuzuar disa herë që nga nata e parë që u takuan.

Këto deklarata dhe përgjigja e Gaimanit kanë shkaktuar shumë diskutime në publik.