Ylli i mirënjohur televiziv, Paris Hilton, ka treguar se emrat e mesëm të fëmijëve të saj janë ata të gjyshërve.
“Doja ta nderoja gjyshen time, Marilynin, mendoj se është emër shumë i bukur”, ka thënë ajo në podcastin e saj “I Am Paris”, duke treguar për emrin e mesëm të vajzës së saj, emri i parë i të cilës është London, raporton FemaleFirst.
“Dhe emri i mesëm i Phoenixit është Barron, emri i gjyshit tim. Ishte nderim për të dy dhe i dua shumë”, ka thënë Paris, duke shpjeguar se gjithashtu i pëlqen shumë edhe ylli Marilyn Monroe.
Ajo më tutje tregoi edhe për emrin e parë të vajzës së saj duke thënë se gjithnjë ka ëndërruar të kishte një vajzë që quhet London, sepse Londra është qyteti që i pëlqen më së shumti në botë.
“Mendoj se tingëllon shumë bukur, Paris dhe London. Është emër i bukur e unik”, ka thënë ajo duke treguar tutje se e bija i ka lindur më 11 nëntor në orën 11 e 11 minuta.
“Këta janë numra të rëndësishëm për mua, Carter e unë u martuam më 11/11. Kompania ime mediale quhet ‘11:11’. Mendoj një dëshirë çdo ditë në orën 11 e 11 minuta. Pra kur bija ime u lind në orën 11 e 11 minuta ishte diçka shumë magjike dhe speciale për mua. Ditëlindje kaq perfekte për princeshën time”, ka shpjeguar ylli.