Aktorja Pamela Anderson ka thënë se dëshiron të luajë më shumë role sfiduese në filma.
57-vjeçja, e cila u bë e famshme me rolin e saj në projektin filmik “Baywatch” në vitin 1992, ka marrë vlerësime të shumta për performancën e saj në filmin e fundit “The Last Showgirl”, një dramë me regji të Gia Coppolas.
Anderson ka shprehur dëshirën për të marrë role më të vështira dhe për të treguar gamën e saj të plotë si aktore.
“Ka shumë gjëra në punë, kështu që po shikoj se çfarë dua të bëj më pas. Dua role sfiduese, dua të transformohem dhe të shoh se çfarë mund të bëj. Ndihem sikur kam zbuluar vetëm një pjesë të vogël të talentit tim”, ka thënë ajo në një paraqitje në emisionin “The Graham Norton Show”, ka raportuar FemaleFirst.

Në “The Last Showgirl”, Anderson luan rolin e Shelly Gardner, një kërcimtare që përballet me një të ardhme të pasigurt pasi shfaqja e saj 30-vjeçare mbyllet papritur.
Ajo ka treguar se kur mori skenarin, ishte duke bërë turshi dhe duke shkruar një libër gatimi, por e ndjeu një lloj trishtimi për gjithçka që ende kishte për të ofruar në karrierën e saj.
“Po bëja turshi, po shkruaja një libër gatimi dhe po jetoja bukur pavarësisht gjithçkaje, por kisha një lloj trishtimi duke menduar se kisha shumë për të dhënë”, ka thënë aktorja.
Ylli e përshkroi rolin si shumë prekës dhe të bukur, dhe ka thënë se ndjeu se pati shumë empati për personazhin.

Ajo ka theksuar se filmi nuk i trajtonte gratë në mënyrë të dhunshme apo shfrytëzuese.
“Personazhi ishte i mrekullueshëm, e doja. Ka qenë një përvojë shumë emocionuese dhe jam shumë krenare që isha pjesë e këtij filmi”, ka thënë Anderson.
Kur u pyet nëse ky film përfaqëson një kapitull të ri në jetën e saj, Anderson ka thënë “shpresoj që po”.