Shprehjet antisemtike

Paditet Kanye West

Kanye West

Kanye West

Reperi i mirënjohur kontrovers, Kanye West, është paditur me pretendimet se ai u ka bërtitur të punësuarve afro-amerikanë në kompaninë e tij si dhe e ka quajtur Adolf Hitlerin “inovator”, raporton The New York Times.

Trevor Phillips, ish-punonjës i Westit, në padi ka thënë se këngëtari në akademinë “Donda”, të cilën e themeloi vetë u ka thënë nxënësve se është duke u persekutuar nga populli hebre.

“Hebrenjtë janë dalë të më kapin” dhe “hebrenjtë do të mi marrin të gjitha paratë”, janë dy fjali që janë cekur në padi si të përdorura nga Westi.

Phillips, në vitin 2022, ishte punësuar nga West dhe menjëherë kishte filluar të punonte në akademinë “Donda” nën pronësi të yllit ku punoi për një vit. Në padinë që ngriti në Los Angeles, ai pretendon se është diskriminuar e ngacmuar nga Westi të cilin e ka akuzuar edhe për hakmarrje.

West, mendja kreative që qëndron pas markës së njohur të veshjeve “Yeezy”, muzika dhe brendi i modës i të cilit e bën jashtëzakonisht të pasur, është përfolur shumë përgjatë viteve të fundit për shkak të shprehjeve antisemitike dhe racizmin që ka shprehur nëpër këngë e intervista.

Marka gjigante të veshjeve si “Gap” dhe “Adidas”, me të cilat West kishte bashkëpunime, patën ndarë rrugët e tyre me yllin, për shkak të shprehjeve antisemitiste.