Reperi me famë botërore, Kanye West, i njohur si Ye, po përballet me një padi të re nga një ish-punonjës i tij, Murphy Aficionado, i cili e akuzon reperin për sjellje raciste. Sipas padisë, West i ka thënë Aficionados se ish-gruaja e tij, ylli televiziv, Kim Kardashian, “zotërohet nga hebrenjtë”.
Padia e depozituar të enjten pretendon se West kishte shprehur shpesh mendime antisemite, duke përfshirë pohime të tilla si: “Hebrenjtë po më vënë në shënjestër. Ata më fshinë llogarinë bankare. Hebrenjtë e morën Kimin dhe fëmijët e mi… Hebrenjtë e bindën Kimin. Ajo ka zotërues hebrenj”, ka shkruar “Variety”.
Aficionado, menaxher projektesh, i cili nisi të punonte për Westin në muajin tetor të vitit 2022, thotë gjithashtu se ishte detyruar të presë për një periudhë të gjatë disa herë, ndërkohë që West po kryente marrëdhënie intime me zë të lartë në një dhomë afër.
Për më tepër, ai thotë se nuk u pagua për punën e tij që e kishte bërë për pesë muaj.
Përveç kësaj, Aficionado akuzon West për një seri fjalimesh raciste dhe për shpërndarjen e teorive të konspiracionit që përfshinin familjen Kardashian. Ai u pushua nga puna në korrik 2023, pasi West i njoftoi se shkolla e tij, “Donda Academy”, do të mbyllej.
Ky rast është njëri nga disa padi të paraqitura ndaj Westit gjatë këtij viti.
Në qershor, ish-asistentja Lauren Pisciotta e paditi për ngacmim seksual dhe shkarkim të padrejtë. Ajo e ndryshoi padinë në tetor për të akuzuar Westin për dhënien e drogës dhe abuzim seksual pa dijeninë e saj.
Një ish-drejtor i “inteligjencës” të Westit gjithashtu e paditi në muajin tetor, duke pretenduar se ishte i detyruar të ndiqte familjen Kardashian dhe gruan aktuale të Westit, Bianca Censori, gjatë një pushimi.
Gjithashtu, Benjamin Deshon Provo, ish-punonjës tjetër, e paditi Westin për shkarkim të padrejtë pasi refuzoi të prekte flokët e tij të bërë me “dreadlocks”, që sipas tij ishin të lidhura me besimin e tij mysliman.
Avokati i Aficionado, Carney Shegerian, ka përfaqësuar edhe persona të tjerë në raste të ngjashme, duke përfshirë Trevor Phillipsin, i cili e paditi Westin për racizëm ndaj njerëzve me ngjyrë.
Në një nga paditë e mëparshme, West thuhet të ketë thënë: “Hebrenjtë po më vënë në shënjestër”.
West ka pasur gjithashtu probleme me ekipin e tij ligjor. Avokati i tij në një prej rasteve, Brian Brumfield, kërkoi të tërhiqej nga rasti në muajin shtator, duke thënë se Westi e kishte pushuar atë në muajin qershor dhe se refuzonte të fliste ose të paguante për shërbimet e tij.
Ky zhvillim është një tjetër kapitull në serinë e përplasjeve ligjore dhe skandaleve që po përjeton Kanye West, duke shtuar vështirësi për figurën e tij publike dhe bizneseve që drejton.
Lexo edhe: