Showbiz

P. Diddy mohon akuzat për sulme, abuzime e dhunime seksuale

Reperi me famë botërore, Sean Diddy Combs, i njohur si P.Diddy, i ka mohuar të gjitha akuzat për ngacmim, abuzime e dhunë seksuale që janë bërë kundrejt tij përgjatë fundit të vitit të kaluar, nga nja paditëse e emëruar si Jane Doe, raporton People.

Në përgjigjen ndaj padisë, e cila u dërgua në gjykatë të martën e kësaj jave, ekipi mbrojtës i yllit të muzikës mohoi pretendimet se ai me bashkëpunëtorin e tij të kamotshëm, Harve Pierre, dhe një tjetër burrë që nuk është identifikuar, dhunuan seksualisht Doen.

“Combs asnjëherë nuk morri pjesë e as nuk ishte dëshmitar dhe as nuk ka qenë pjesë e asnjë sjelljeje që shkel ligjin, që pretendohet nga paditësja Doe”, thuhet në dokument.

Pierre gjithashtu ka dërguar përgjigjen e tij ndaj padisë, në të cilin thuhet se nuk ka marrë pjesë në asnjë nga ngjarjet që pretendon Doe.

Padia e Doe u dorëzua në dhjetor të vitit të kaluar dhe ishte e katërta me radhë kundër Combs nën pothuajse të njëjtat akuza, për dhunë seksuale.

Combs edhe më parë i ka mohuar akuzat përmes një postimi që bëri e në rrjetin social “x”.

“Nuk kam bërë asnjë nga këto gjëra që pretendohen. Do të luftoj për emrin tim, familjen time dhe të vërtetën”, pati shkruar reperi.

Përgjigja ndaj padisë që është dorëzuar të martën, është përgjigje për njërën nga katër paditë që u ushtruan ndaj P. Diddyt nga katër gra për ngacmim seksual, përdhunim, trafikim, e drogim të tyre.
E para që ngriti padi ishte ish-e dashura e tij me të cilën pati një lidhje 10-vjeçare, Cassandra Ventura e njohur si Cassie. Ai arriti një marrëveshje private me të një ditë pasi ajo ngriti padinë, kushtet e të cilës janë private dhe ai ka këmbëngulur se kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se ai e pranon fajin.
Padia e Cassiet pastaj u pasua nga paditë e tri grave të tjera që patën akuza të ngjashme, e të cilat nuk janë tërhequr.