Reperi amerikan, Sean Coms, i njohur si P. Diddy, është akuzuar sërish për sulm seksual. Akuzat e reja vijnë vetëm pak ditë pas përballjes me ish të dashurën, Casandra Ventura.
Njëra nga dy paditëset e reja, Jane Doe, pretendon se Combs dhe këngëtari Aaron Hall e përdhunuan atë dhe një mike në “Uptown Records” në fillim të viteve 1990.
Kurse në një tjetër raportim të “Usa Today” thuhet se reperi i famshëm është paditur edhe për një tjetër dhunim seksual, në po atë kohë, por për të s'janë dhënë detaje.
Paditë e reja erdhën vetëm disa ditë pasi reperi u padit nga ish-partnerja, këngëtarja Cassie për dhunim seksual, drogim dhe trafikim, padi të cilën të dy palët vendosën “ta zgjidhin” përmes marrëveshjes në mënyrë miqësore.
Në padinë e re, gruaja me emrin Joi Dickerson-Neal pretendon se P. Diddy abuzoi seksualisht me të. Ajo po e akuzon reperin edhe për shpërndarje të një video hakmarrëse “pornografike” të cilën ai dyshohet se e shpërndau nëpër New York pa pëlqimin e saj. Sipas “The Daily Beast”, paditësja ka thënë se qe takuar me reperin për darkë në vitin 1991 kur ajo ishte studente e Universitetit “Siracuse”, përpara se ai ta shtynte të shkonte në disa bare dhe klube nate. Sipas paditëses ai e drogoi aq sa ajo nuk mund të ecte e të qëndronte vetë në këmbë. Ajo ka shtuar se pas drogimit kanë shkuar në studio muzikore ku “nuk mund të dilte vetë nga makina”.
Në padi gjithashtu thuhet se P. Diddy ishte i njohur për filmimin e skenave seksuale.
“The Daily Beast” ka shkruar se avokati i P. Diddyt, Ben Brafman nuk kishte asnjë koment kur u pyet për çështjen.
Ndërkohë “USA Today” ka shkruar se një zëdhënës i P. Diddyt, ka thënë në një deklaratë të enjten se kjo padi e minutës së fundit është një shembull se si “një ligj me qëllim të mirë mund t’i rrotullojë gjërat për së keqi”, duke iu referuar një ligji që u miratua së fundmi në New York, e që inkurajon viktimat për padi për ngjarjet që kanë ndodhur shumë më herët.
“Historia 32-vjeçare e zonjës Dickerson është e sajuar dhe jo e besueshme. Zoti Combs nuk e sulmoi kurrë dhe ajo implikon kompani që nuk ekzistonin në atë kohë. Kjo është thjesht një tentim për kapje parash dhe asgjë më shumë”, ka thënë zëdhenësi për TMZ.