Showbiz

P. Diddy kërkon rrëzimin e akuzës për trafikim seksual

Sean "Diddy" Combs

Sean "Diddy" Combs

Foto: Associated Press

Avokatët e reperit Sean “Diddy” Combs kanë dorëzuar një kërkesë në gjykatë duke kërkuar të hidhet poshtë një nga akuzat për trafikim seksual ndaj tij. Ata kanë argumentuar se ligji mbi të cilin bazohet akuza, i njohur si “Mann Act”, ka “origjina raciste” dhe po përdoret padrejtësisht ndaj tij, ka raportuar The New York Times.

Kërkesa për rrëzimin e akuzës përqendrohet tek “Mann Act”, një ligj federal i miratuar në vitin 1910, i cili ndalon transportimin e individëve për qëllime prostitucioni. Avokatët e Combsit kanë argumentojnë se ky ligj është përdorur më parë për t’i ndjekur penalisht burrat e racës së zezë, siç ishte rasti i boksierit Jack Johnson, i cili u dënua për transportimin e një gruaje të bardhë përtej kufijve shtetëror. 

“Ky ligj është përdorur historikisht për ta ndëshkuar seksualitetin e burrave me ngjyrë”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në gjykatë.

Ata shtojnë gjithashtu se përdorimi i shërbimeve të eskortës është “i zakonshëm dhe i pranuar gjerësisht në kulturën amerikane sot” dhe pyesin nëse ndonjë person i bardhë është ndjekur penalisht për rrethana të ngjashme.

Prokurorët: Combs nuk po akuzohet për racën e tij, por për abuzim të pushtetit

Prokurorët e çështjes e kanë mohuar më parë që kjo ndjekje penale të ketë motive racore.
“Këto pretendime janë të pabaza”, ka deklaruar një nga prokurorët, duke theksuar se ndjekja e Combsit po bëhet mbi prova të forta.

Sipas prokurorisë, Combs ka përdorur famën dhe pushtetin e tij për të detyruar gratë që të kryejnë akte seksuale me eskortë të paguara, nëpër ndejat e njohura si “freak-offs”.
 

Ata kanë shtuar se ai jo vetëm që i organizonte këto takime, por edhe i filmonte pa pëlqimin e viktimave dhe “përdorte videot si shantazh për të ushtruar kontroll mbi to”.

Gjykata do të vendosë nëse do të pranojë ose jo kërkesën e avokatëve të Combsit për ta rrëzuar akuzën e bazuar në “Mann Act”. Ai gjithashtu përballet me një akuzë më të rëndë për trafikim seksual.
Nëse shpallet fajtor vetëm për shkeljen e “Mann Act”, Combs mund të dënohet maksimum me 10 vjet burgim. Megjithatë, nëse gjykata e shpall fajtor për akuzat e tjera më të rënda, dënimi i tij mund të jetë shumë më i lartë.

Combs, i cili është deklaruar i pafajshëm, është aktualisht në paraburgim dhe mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përshirë dorëzaninë prej 50 milionë dollarësh amerikan. Ai ndodhet në paraburgim në Brooklyn të New Yorkut dhe përballet me disa akuza të rënda, përfshirë trafikimin seksual dhe zhvatjen. Gjykimi ndaj Combs pritet të nisë të hënën e parë të muajit maj.