Showbiz

Organizatorët e Wimbledonit shpresojnë që princesha e Uellsit do të mund t’i ndajë trofetë sivjet

Princesha e Uellsit

Princesha e Uellsit

Organizatorët e kampionatit të tenisit, Wilbledon, po shpresojnë që princesha e Uellsit, Catherine, të mund t’ua ndajë trofetë pjesëmarrësve që do të fitojnë sivjet.

Catherine, princesha e Uellsit

Kryetarja e klubit “All England”, Debbie Jevans, i ka thënë mediumit The Daily Telegraph se do t’i japin princeshës hapësirë sa të jetë e mundur, përfshirë edhe mundësinë që të shtyhet vendimi për dhënien e lajmit se kush do t’i ndajë trofetë për këtë vit potencialisht deri në mëngjesin e finales, ndërkohë që ajo vazhdon trajtimin e kancerit.

Catherine dhe Debbie Jevans

“Shpresojmë që princesha të mund t’i ndajë trofetë, si patrone e klubit, por prioritet është shëndeti i saj. Nuk e di se kush do të jetë personi alternativ për ndarjen e trofeve. Kur të dëgjojmë se çfarë vendimi merr princesha atëherë do të vendosim se cila është gjëja e duhur për të bërë”, ka thënë Jevans.

Catherine, e cila u diagnostikua me një lloj të kancerit, sëmundje kjo që e bëri të mos jetë prezente në detyrat publike, është spektatore e rregullt e ngjarjes së përvitshme të sportit të tenisit. 

Princesha gjithashtu është patrone e klubit të tenisit e kriketit “All England” në fushat e të cilit mbahet “Wimbledon” dhe është i vetmi kampionat i tenisit që ende mbahet në bari natyral.

Fushat e tenisit në Wimbledon

42 vjeçja i është rikthyer jetës publike më herët gjatë këtij muaji duke iu bashkuar familjes së saj të ngushtë, bashkëshortit, princit William, tre fëmijëve si dhe mbretit Charles e bashkëshortes së tij Camilla, në ditëlindjen e mbretit.

Princesha bashkë me familjen në ditëlindjen e mbretit Charles

Klubi “All England” nuk ka president që kur duka i Kentit ka dhënë dorëheqje tri vjet më parë.

Catherine e mori përsipër rolin e patrones nga mbretëresha Elizabeth, e cila e mbajti këtë post që nga viti 1952 e deri në vitin 2016 dhe ka dhënë trofetë në disa ngjarje që janë organizuar brenda asaj kohe.

Kampionati i tenisit, Wimbledon, është gara më e vjetër në botë dhe njihet si më prestigjiozja. 
Kjo garë është mbajtur në fushat e tenisit dhe kriketit “All England” në Wimbledon, Londër, që nga viti 1877.