Showbiz

Ora troket në fragmentin e parë të "Watchmen"

Ndërkohë që serialit “Game of Thrones” po i afrohet fundi, HBO ngadalë po përgatitet që pas përfundimit të tij ta shfaqë një seri të re. Gjatë muajve të fundit është punuar në adaptimin e stripave të popullarizuar “Watchmen”, ndërsa tani e kemi mundësinë ta shohim edhe trilerin e parë.

Seria bazohet në stripat me po të njëjtin titull nga Alan Moore dhe Dave Gibbons, të cilat DC Comics i kishte publikuar në vitet tetëdhjetë.

E vendosur në një kohë alternative, në të cilën superheronjtë etiketohen si të jashtëligjshëm, drama e re e producentit ekzekutiv Damon Lindelof është e vendosur në të njëjtën botë si materiali i stripave sipas të cilit është krijuar, por historia shkon në drejtime të reja me karaktere të çuditshme dhe një ngjarje të ndryshme, shkruan KOHA Ditore.

Ekipin e aktorëve e përbëjnë shumë emra të njohur, si: Regina King, Jeremy Irons, Don Johnson, Jean Smart, Tim Blake Nelson, Louis Gossett Jr., Yahya Abdul-Mateen II, Hong Chau, Andrew Howard, Tom Mison, Frances Fisher, Jacob Ming-Trent , Sara Vickers, Dylan Schombing dhe James Wolk.

Se në ç’drejtim do të shkojë seria “Watchmen”, këtë do ta mësojmë këtë vjeshtë, kur seria të arrijë në HBO. Data e saktë e premierës ende nuk është zbuluar.