Showbiz

“One Humanity Live” ngjarja e radhës bamirëse që i ndihmon të prekurit nga pandemia

Një tjetër transmetim 24-orësh i cili përfshiu të famshëm nga e mbarë bota, zuri vend të premten, me shpresën të shpërndajë optimizëm te njerëzit në këtë kohë pandemie, si dhe të mbledhë të holla të cilat i dedikohen luftës ndaj koronavirusit.

E prezantuar nga “Constellation” dhe “ITP”, ngjarja me titull “One Humanity Live” ku morën pjesë më shumë se 150 yje ndërkombëtarë, të tillë si: Dua Lipa, Jason Derulo, Ricky Martin, Maluma dhe Eva Longoria, kishte për qëllim mbledhjen e të hollave për organizata të ndryshme, të cilat i ndihmojnë punëtorët që po shërbejnë në frontin e parë gjatë kësaj pandemie.

Jean-Carl Saliba, organizator i kësaj ngjarjeje tha: “OHM Live është një transmetim bamirës 24-orësh, i cili bashkëpunon me të famshëm të shumtë nga bota e filmit dhe muzikës, aktivist inspirues, njerëz humanitarë dhe persona të zakonshëm, me qëllim të inspirimit të botës për të ëndërruar dhe mbledhjes së fondeve për organizata, të cilat kanë nevojë urgjente për t’i ndihmuar personat e prekur nga pandemia.”

Shou “One Humanity Live” u transmetua drejtpërdrejt në YouTube, Facebook, IGTV, TikTok, si dhe online në uebfaqen “ohm.constellation.art”, transmeton Koha.

Program i tij ishte organizuar në atë mënyrë që t’i përfshinte yjet nga regjione të ndryshme të botës.