Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, është bërë baba i dy fëmijëve në vitin 2021 me Shivon Zilis, top-zyrtare në kompaninë e tij të inteligjencës artificiale “Neuralink”, kanë treguar dokumente civile.
Musk tani është baba i nëntë fëmijëve, përfshirë pesë me bashkëshorten e parë, Justine Musk, dhe dy me këngëtaren Claire Boucher, të njohur si Grimes.
Siç raporton “The Guardian”, Musk dhe Zilis kanë kërkuar përmes gjykatës që t’u ndryshohet emri binjakëve të tyre për të marrë “mbiemrin e babait dhe të mbajnë edhe mbiemrin e nënës si pjesë e emrit të mesëm”.
Kërkesa u shtrua në Austin të Teksasit ku u sollën në jetë binjakët. Kërkesa u miratua nga gjykata.
Zilis raportohet se solli në jetë fëmijët në nëntor të 2021-s, pak javë para se Musk dhe Boucher të pritnin fëmijën e dytë nga një nënë surrogate.
Zilis u lind në Kanada dhe ka studiuar ekonominë dhe filozofinë para se të punonte në IBM dhe më pas në Bloomberg Beta. 36-vjeçarja konsiderohet yll në rritje në botën e inteligjencës artificiale.
Nga viti 2017 ka nisur të punojë në kompaninë “Neuralink” të Muskut.
Pos “Neuralinkut”, Musk është pronar edhe i kompanisë së veturave elektrike “Tesla” dhe asaj të udhëtimit në hapësirë “SpaceX”. Së fundmi ka blerë edhe rrjetin social Twitter.
Në të kaluarën, ai pati promovuar shtimin e popullsisë duke thënë se “civilizimi do të shkatërrohet” nëse njerëzit nuk bëjnë më shumë fëmijë. “Unë po bëj punën time haha”, pati shkruar ai në Twitter pasi në SHBA u shënua rënie e shkallës së lindjes.
Në prill, një nga vajzat e tij kërkoi t’i ndërrohet mbiemri e të moslidhet ligjërisht më me Muskun duke thënë se s’dëshiron të ketë asnjë lidhje me babanë e saj biologjik.