Në njërën nga paditë që janë ngritur së fundmi kundër reperit P. Diddy, paditësi anonim, i cili identifikohet si John Doe, ka thënë se një atlet profesional e ka shpëtuar nga sulmi seksual që ai pretendon të ketë filluar të ndodhte në zyrën e reperit në vitin 2022.
Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, po akuzohet se ka sulmuar seksualisht një njeri, i cili në padinë kundër “ikonës globale”, ka pretenduar se sulmi është ndalur vetëm sepse ka intervenuar një sportist i famshëm, emrin e të cilit nuk e ka bërë publik, ka raportuar “E News”.
Në padi thuhet se ky incident ka ndodhur në vitin 2022 gjatë një ndeje të organizuar nga Combs në Los Angeles.
Paditësi, i cili e ka përshkruar veten si pronar të një biznesi familjar, i cili jep me qira vetura dhe stoli luksoze, ka thënë se në këtë ngjarje ishte ftuar nga vetë Combs, i cili ka qenë klient i shpeshtë në biznesin e tij.
Ai ka thënë se pasi që ka arritur në ndejë ka parë shumë njerëz të profilit të lartë dhe më pas është ftuar të shkojë në zyrën e Combsit, ftesë për të cilën, ai ka menduar se ka të bëjë me çështje biznesi. Ai në padi thotë se menjëherë e ka kuptuar se Combs ishte nën ndikim e drogës dhe po sillej në mënyrë të çuditshme pasi hoqi pantallonat dhe ekspozoi pjesët e tij intime dhe filloi ta prekte paditësin në mënyrë të papërshtatshme.
Paditësi ka thënë tutje se u ndie “i shokuar” duke mos ditur si të veprojë, derisa u hap dera dhe atleti profesional e ndaloi sulmin e Combsit.
Ai gjithashtu ka thënë se ka vuajtur shumë pasi ka pësuar stres emocional dhe traumë si rezultat i sulmit të reperit, të cilin po e padit duke i kërkuar dëmshpërblim.
“Combs është kërcënim për shoqërinë, gratë dhe fëmijët”, thuhet në padinë e John Doet.
Combs i cili është deklaruar i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave kundër tij për krime seksuale, aktualisht është në paraburgim në New York.
Mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përfshirë dorëzaninë prej 50 milionë dollarësh.