Christina Fulton ka ngritur një padi kundër ish-partnerit të saj, aktorit Nicolas Cage, duke e akuzuar për neglizhencë në trajtimin e djalit të tyre, Weston Cage, i cili u arrestua në korrik të vitit 2024 për një sulm të dhunshëm ndaj nënës së tij.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë në Los Angeles, të cilat u siguruan fillimisht nga People, Fulton pretendon se Cage ka ndihmuar në sjelljen e papërgjegjshme të Westonit, përfshirë lirimin e tij nga burgu disa herë dhe konsumimin e alkoolit me të, pavarësisht historisë së tij të varësisë.
“Weston ka një histori të gjatë të çrregullimeve mendore dhe psikologjike, si dhe një të kaluar të dhunës dhe sulmeve ndaj individëve të ndryshëm. Nicolas e ka ditur këtë dhe, megjithatë, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta parandaluar atë nga kryerja e veprimeve të dhunshme”, thuhet në padi.
Në padi, Weston akuzohet për sulm, dhunë fizike dhe shkaktim të qëllimshëm të stresit emocional. Fulton pretendon se nga ky incident ka pësuar lëndime të rënda dhe kërcënuese për jetën, përfshirë një tronditje në kokë, dëmtim të syrit, traumë dentare dhe PTSD.
Për shkak të dëmtimeve, ajo u detyrua të tërhiqej nga një serial i platformës Netflix dhe të anulonte angazhimet për markën e saj “Cyclish”.
Ende nuk dihet shuma që Fulton po kërkon si dëmshpërblim, por padia përfshin akuza për neglizhencë ndaj Cage dhe akuza të shumta ligjore kundër Westonit.