Këngëtarja amerikane, Mariah Carey, ka njoftuar se nëna e saj Patricia dhe motra Alison kanë vdekur në të njëjtën ditë gjatë fundjavës.
“Më është thyer zemra pasi humba nënën vikendin që shkoi. Fatkeqësisht, në mënyrë tragjike motra ime humbi jetën në po të njëjtën ditë”, ka thënë Carey të hënën përmes një deklarate publike, shkruan BBC.
Fituesja e çmimit “Grammy” ka thënë se ndihet e bekuar që ka kaluar kohë më nënën në javën e fundit të jetës së saj dhe ka kërkuar privatësi.
Detaje të tjera rreth vdekjes nuk janë bërë të ditura.
Patricia, 87 vjeçe, ishte ish-këngëtare e operës dhe trajnuese për këndim.
Carey në librin e saj memoar të publikuar në vitin 2020, kishte thënë se pati vuajtur nga mamaja pasi ajo e xhelozonte.
“Xhelozia profesionale vjen me territorin e suksesit, por kur personi xheloz është nëna jote dhe xhelozia zbulohet në moshë aq fragjile, është shumë e dhimbshme”, pati shkruar ylli.
Por ndërkohë ajo gjithnjë ka folur për dashurinë e thellë që ndien për nënën.
“Për Patin, nënën time, e cila, mbas gjithçkaje, besoj se në të vërtetë ka më të mirën që ka mundur. Do të të dua sa më shumë që të mundem, gjithmonë”, ka thënë Carey.
Marrëdhënia e yllit me motrën Alison, 63 vjeçe, ishe gjithashtu komplekse pasi në libër kishte shkruar se ishte distancuar nga ajo dhe vëllai i saj Morgan.
“Emocionalisht e fizikisht është më e sigurt për mua që të mos kem kontakte me ta”, pati shkruar ylli.
Alison, pas lansimit të librit, e pati paditur motrën e saj të famshme duke e akuzuar për “shkatërrim të jashtëzakonshëm emocional” duke e quajtur “hakmarrëse”.
Babai i Careyt vdiq në vitin 2002 nga kanceri në moshën 72 vjeçe.
Carey 55-vjeçare është një nga këngëtaret më të suksesshme në botë. Kënga “All I Want Fort Christman Is You” është kënga me më së shumti shitje, e një artisteje femër, e të gjitha kohërave.
Ajo mban rekordin për toplistën Billboard 100, duke qëndruar në vendin e parë me 19 këngë, si solo artiste, ka shitur 220 milionë disqe në mbarë botën dhe ka shërbyer në jurinë e garës për talente “American Idol”.