Showbiz

Natalie Portman: Zgjedh rolet sipas asaj që po ndodh në jetën time personale

Natalie Portman në ballinën e revistës Interview

Natalie Portman në ballinën e revistës Interview

Aktorja e njohur Natalie Portman ka rrëfyer se zgjedhja e roleve të saj në filma ndikohet drejtpërdrejt nga jeta personale.

Në një intervistë me aktoren Jenna Ortega për revistën Interview, ylli 43-vjeçar ka folur për mënyrën se si gjendja shpirtërore në shtëpi ndikon në karrierën e saj.

“Kur gjërat janë më të vështira në shtëpi, kërkon ta gjesh atë gëzim, lehtësi dhe humor në punën tënde”, ka thënë Portman.
 

Aktorja e filmit ikonik “Black Swan” i ka dhënë fund martesës së saj me balerinin Benjamin Millepied në fillim të vitit 2024, pas më shumë se një dekade bashkëjetese. Edhe pse nuk e përmendi drejtpërdrejt ish-bashkëshortin gjatë intervistës, ajo ka pranuar se përvojat jetësore shpesh ndikojnë në mënyrën se si ajo i qaset roleve në ekran.

“Ka momente në jetë kur një përvojë pune që të mbush me lumturi është shumë e rëndësishme, dhe ky ishte një nga ato raste”, është shprehur ajo, duke iu referuar filmit të ri “The Gallerist”, ku luan krah për krah me Ortegan.
 

Kur u pyet nëse për të ka më shumë rëndësi personazhi apo skenari kur merr një rol të ri, Portman ka thënë se me rëndësi është gëzimi.

“Kam mësuar nga aktoret që kanë ardhur para meje. Ato më kanë thënë: ‘Është e rëndësishme të ndjekësh gëzimin’”, ka thënë ajo.

Një karrierë e ndikuar nga ritmi i jetës personale

Natalie dhe Benjamin u njohën gjatë xhirimeve të “Black Swan” në vitin 2010, ku ajo interpretoi një balerinë të trazuar, ndërsa ai ishte koreograf i filmit. Po atë vit çifti shpalli fejesën dhe pritën fëmijën e parë, ndërsa u martuan në vitin 2012. Sot, ata janë prindër të dy fëmijëve: Aleph (13 vjeç) dhe Amalia (8 vjeçe).

“Isha shumë e lumtur që po bëhesha nënë, dhe me një person që e doja”, ka thënë Portman, kur u pyet për ndikimin e amësisë në karrierën e saj.
 

Projekte të reja dhe një fokus i ri në jetë

Portman do të rikthehet në ekran me filmin “Fountain of Youth” përkrah aktorit John Krasinski, që do të transmetohet në Apple TV+ duke filluar nga 23 maj. Filmi paraqet dy motra e vëllezër të larguar nga njëri-tjetri, të cilët bashkohen sërish për të kërkuar burimin mitik të rinisë së përjetshme.
 

Ndërkohë, filmi tjetër “The Gallerist”, ku luan me Ortegan, nuk ka ende datë publikimi të konfirmuar.

Portman ndër të tjera ka thënë se kur bëhet fjalë për ata që emocionojnë më shumë në jetë, janë fëmijët e saj.

“Fëmijët e mi janë gjithmonë burim emocionimi, sepse i sheh si zhvillohen në individë unikë. Gjithashtu, kam kaluar shumë kohë me miqtë, me fëmijët e tyre dhe fëmijët e mi, dhe kjo është diçka vërtet argëtuese”, ka cekur ylli.